16 lojtarë të Vasco da Gamas me Coronavirus

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Klubi brazilian i futbollit Vasco da Gama ka njoftuar të dielën mbrëma se 16 lojtarë i kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Lajmi është bërë i ditur vetëm dy ditë para se skuadra t’i kthehej stërvitjeve të plota, pas një pushimi dy mujor.

Klubi ka thënë se 16 lojtarë, nga 43 sa janë testuar, do të izolohen. Tre tjerë janë rikuperuar nga sëmundja.

“Kjo vetëm dëshmon se po marrim masa të mëdha, duke identifikuar infeksionin në mesin e lojtarëve tanë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo na lejon ne që të ndalojmë përhapjen e virusit”, është thënë në komunikatë të klubit.

Lojtarët në Rio de Janeiro do të lejohen t’i nënshtrohen testeve fizike dhe po ashtu t’i kthehen stërvitjeve individuale nga dita e hënë, por stërvitja e kontaktit ende nuk është lejuar.

Brazili ka raportuar rreth 515 mijë raste me koronavirus, ndërsa numri i të vdekurve është afër 30 mijë.

Të ngjashme