400 tifozë në fushë gjatë ndeshjes ilegale në Francë

Prishtinë | 25 Maj 2020 | 19:09 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet në Francë mbetën të habitura pasi rreth 400 tifozë thyen rregullat e bllokimit në vend për të marrë pjesë në një ndeshje lokale të futbollit, që përfundoi me hyrjen masive të tifozëve në fushë.

Loja u zhvillua të dielën në Strasburg, në pjesën lindore të vendit, ku ka masa të rrepta të izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Nuk lejohen tubime të më shumë se dhjetë personave.

Duket se pushtimi i fushës u bë pasi një gol u shënua në ndeshjen e skuadrave Neuhof dhe Hautepierre, në rajonin Bas-Rhin.

Pamjet kanë dëshmuar që tifozët nuk i janë përmbajtur fare rregullave të distancimit social. Ata kanë festuar së bashku golin.

Profesori Gilbert Deray, është shprehur i dëshpëruar, duke e vlerësuar incidentin si “bombë potenciale” sa i takon virusit.

Policia ka qenë në ndeshje dhe ka tentuar të shpërndajë turmën, por ishte pa forcë ndaj numrit të madh të tifozëve të futbollit.

Portat në disa stadiume në këtë rajon janë larguar me kërkesë të autoriteteve lokale, por në stadiumin Paco-Mateo kjo nuk ka ndodhur, ndërsa arsyet nuk dihen, ka shkruar Daily Mail.

Ndeshja ka çuar në zemërim të zyrtarëve lokalë kurse autoritetet janë zotuar se do të hetojnë incidentin dhe do të ndëshkojnë të përfshirët.

Serge Oehler, përgjegjës për sport në Strasburg, ka shkruar: “Ajo që ndodhi këtë fundjavë është e papërgjegjshme dhe skajshmërisht serioze. Varet nga ne si zyrtarë të zgjedhur që të dënojmë me forcë këtë dhe të veprojmë. Nëse vërtetohet se mbikëqyrësit e klubit morën pjesë në këtë, padyshim që do të ketë përgjigje proporcionale”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme