50 fitoret e Krasniqit

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Ishte 20 tetori i vitit 2005 kur një djalosh i ndrojtur po ngjitej për herë të parë në ring për meç zyrtar. Emër plotësisht i panjohur për shumicën e të pranishmëve në “Alabama Club” në Muenich dhe për tifozët shqiptarë të boksit.

Haxhi Krasniqi po niste rrugëtimin në boks me synime shumë të mëdha e të qarta. Me synime të mëdha, karrierë në boks kanë nisur dhe nisin edhe shumë shqiptarë të tjerë. Por, pak prej tyre i qëndrojnë besnik synimit, përkushtohen për ta realizuar atë.

Përkushtimi është prej gjërave që e kanë karakterizuar karrierën 15-vjeçare të Haxhi Krasniqit. Junikasi, tani 33-vjeçar, ka karrierë thuajse impresive nëse merret për bazë se kur dhe si kishte filluar. Pa asnjë meç dhe stërvitje në nivel amator, që shumë njerëz e llogarisin bazë të domosdoshme për nivelin profesional, Krasniqi ka çarë para në karrierë. Ka kaluar pengesa dhe tani, 15 vjet më vonë, ka arritur te fitorja jubilare, e 50-të.

Asnjë boksier tjetër shqiptarë nuk ka arritur këtë shifër të fitoreve. Në fakt 50 fitore jo shumë boksierë i arrijnë në karrierë. Numri zvogëlohet maksimalisht kur merren për bazë vetëm ata pa të kaluar në nivel amator.

Krasniqi, si thuajse të gjithë boksierët, kishte nisur në një ngjarje të vogël boksi, në një sallë të vogël. Përballë në debutim e kishte gjermanin Sven Haselhuhn. Haselhuhn fitoi me pikë pas katër rundeve.

Menjëherë më 26 nëntor të vitit 2005, Krasniqi arriti fitoren e parë. E mposhti Ladislav Martinekun me ndërprerje në rund të dytë. Boksieri kosovar e humbi edhe meçin e tretë, prapë në “Alabama Club” në Muenich. Këtë herë e mposhti Adrian Cerneaga me pikë pas katër rundeve. Më pas nisi ngritja e madhe e Krasniqit në karrierë.

Seria impresive

Rreshtoi plot 38 fitore, ndërsa rrugës Cerneagan e mposhti dy herë e Haselhuhnin një herë. Seria impresive dhe ngritja e vazhdueshme e sollën te lufta e parë për titull të botës.

Më 20 prill të vitit 2013 humbi nga uellsiani Nathan Cleverly, me vendim unanim të gjyqtarëve pas 12 rundeve. Lufta ishte për titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë, në versionin WBO.

Krasniqi tashmë llogaritej pjesë e nivelit të lartë në boksin profesional. Rreshtoi katër fitore të tjera dhe siguroi luftën e dytë për titull të botës. Më 21 mars të vitit 2015 humbi nga Juergen Braehmer për titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBA.

As humbja e dytë nuk e ndali. Shënoi tri fitore para se të përballej me legjendën Arthur Abraham në luftë kualifikuese për titull të botës më 22 prill të vitit 2017. Abraham fitoi me vendim unanim.

Të ngjashme