Abedini e vlerëson hap para përfshirjen në ekipin e parë të Granadas

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Vetëm një javë stërvitje i ka mjaftuar kapitenit të Kosovës U-21, Eris Abedini, që ta bindë trajnerin David Tenorio për ta përfshirë në ekipin e parë të klubit elitar të Spanjës, Granada.

Abedini ishte të dielën në stol te Granada, që pësoi disfatë nga Real Sociedadi me rezultatin 2:0. Edhe pse nuk e fitoi rastin të debutojë, Abedini të hënën për KOHËN ka thënë se është një hap para në karrierë.

Ai pret që shpejt ta fitojë rastin të luajë për Grandan.

“Unë kam qenë i izoluar për dy javë shkaku i infektimit me koronavirus sa isha pjesë e grumbullimit me Kosovën U-21. Stërvitje të plota me ekipin i kam vetëm një javë. Kam qenë mirë fizikisht dhe jam i lumtur që më është dhënë mundësia të jem pjesë e ekipit. Më vjen keq që nuk arritëm rezultat pozitiv, por për mua është një hap para në karrierë. Tash më duhet të vazhdoj me këtë ritëm për ta arritur qëllimin të luaj”, ka thënë Abedini.

Mesfushori 22-vjeçar te Granada B është transferuar në fillim të muajit të kaluar nga skuadra e Luganos dhe menjëherë ka bërë lëvizjen e parë drejt ekipit A. Ai i është bashkuar klubit me kontratë deri në qershor të vitit 2021 me mundësi vazhdimi edhe për dy sezone të tjera. Abedini ishte pjesë e Luganos që nga grupmoshat e reja, derisa për Shpresat e Kosovës ka shënuar një gol në pesë paraqitje.

“Unë kam stërvitur me ekipin e parë, e njoh atë ambient, por pres koha t’i tregojë të gjitha anët e mia pozitive. Unë do ta jap 100 % dhe të jem gjithmonë gati për trajnerin, e pastaj është trajneri ai që vendos nëse unë do ta fitoj rastin të luaj shpejt. Konkurrenca është e madhe, por unë do ta jap më të mirën për ta pritur rastin tim e që shpresoj të jetë shpejt. Është e arritur e madhe për mua, është një hap para në karrierë. Brenda 2-3 vjetësh besoj se do të jetë shpërthimi im. Por tani jam i fokusuar ta marr veten dhe të jem 100 % i aftë për ndeshje, sepse nuk është pak për një sportist të mos jetë pjesë e ekipit për dy javë”, ka deklaruar Abedini.

Abedini nuk është përfshirë në listën e përzgjedhësit të Kosovës U-21, Rafet Prekazi, për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”, kundër Shqipërisë më 13 nëntor në “Fadil Vokrri” dhe kundër Turqisë më 17 nëntor në Samsun.

Abedini ka theksuar se bashkërisht me klubin dhe Prekazin kanë marrë vendim të mos përfshihen për këto dy ndeshje.

“Kam marrë thirrje nga U-21, por Granada ka dashur që unë të qëndroj në klub për t’u ambientuar më shumë me ekipin, pasi ka vetëm pak kohë që jam këtu. Edhe U-21 nuk ka shpresë për kualifikim dhe vendosëm bashkërisht që unë të mbes në klub. Por në të ardhmen jam i gatshëm gjithmonë për Kosovën. Pres që ta kem rastin të jem edhe pjesë e ekipit A”, ka thënë Abedini.

Të ngjashme