Ademi komenton përfundimin e sezonit në Superligë: Ishte kërkesë e UEFA-s që kampioni të përcaktohej në fushë

Prishtinë | 27 Kor 2020 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi është deklaruar rreth përfundimit të edicionin 2019/20 në Superligën e Kosovës.

Edhe pas shumë vështirësive që i shkaktoi coronavirusi nga mesi i muajit mars, futbolli në vendin tonë u rikthye për të përfunduar edicionin.

Në një intervistë për emisionin Arena Sportive në RTK, Ademi ka thënë se ai është i lumtur për përfundimin e këtij edicioni, derisa në vëmendjen e tij ishte shëndeti i lojtarëve.

“Ne jemi të lumtur që kemi arritur ta përfundojmë këtë kampionat, pasi ka qenë dëshirë e madhe e UEFA-s që kampioni të vendoset në fushë” ka deklaruar kreu i FFK-së.

“Ka qenë e pamundur të përfundojmë të gjitha garat dhe shteti ka vendosur të na lejojë Superligën. Është shumë mirë që tre ekipe tani i kemi në Evropë. Kur i shohim të gjitha ndodhitë, mendoj që ky kampionat ka përfunduar mirë”.

“Ne e kemi pasur drojë të madhe shëndetin e futbollistëve, jo vetëm për shkak të COVID-it por edhe për shkak të ndërprerjes dhe rikthimit. Ne i kemi përfillur gjithmonë të gjitha masat e qeverisë”, ka shtuar më tej Ademi.

Kujtojmë se Drita u shpall kampion i Superligës së Kosovës në javën që shkoi, duke mposhtur Gjilanin në një garë të ashpër.

Të ngjashme