Agim Ademi lajmërohet pas lirimit nga burgu

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar për herë të parë pas lirimit nga burgu.

Ademi ishte shoqëruar dje në polici pas sulmit fizik ndaj zyrtarit të FFK-së, Artan Govorit, ndërsa ishte liruar sot me urdhër të prokurorit.

Në një postim në rrjetin e tij social në Facebook, Ademi ka sqaruar se si ndodhi incidenti për opinionin publik.

“Dje për shkak të një debati verbal që pata me një koleg të FFK-së, i cili debat kishte qëllim krejt të mirë për të sqaruar një situatë nga marrëdhënia e punës në FFK, përfundoi pa shkas në Polici dhe ju dha hov nga disa media dhe grupe të interesit, duke e shfrytëzuar situatën zgjedhore që kemi në FFK, me ç’rast unë përfundova për disa orë në Polici”, thuhet në postimin e Ademit.

Ademi u shpreh falënderues dhe premtoi se do të vazhdojë të punoj tutje.

“Ju falënderoj edhe njëherë të gjithë juve bashkëpunëtorëve të mi dhe komunitetin e futbollit për interesimin dhe mbështetjen, njëherit ju garantoj se do të punoj së bashku me ju për ngritjen e futbollit dhe avancimin e Federatës së Futbollit të Kosovës”, tha Ademi.

Kryetari aktual i FFK-së edhe njëherë konfirmoi mbajtjen e kuvendit zgjedhor, i cili nga opozita është quajtur si i jashtëligjshëm.

“Ju siguroj se së bashkë me stafin e FFK-së do të vazhdojmë punën e madhe që na pret në organizimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe të rregullt për datën 06 prill 2022, si dhe në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës këtë muaj”, përfundoi Ademi.

Të ngjashme