Agim Ademi nuk i komenton rastet me COVID-19 në Supërligë

Prishtinë | 21 Kor 2020 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Superliga e Kosovës ditëve të fundit është “kapluar” nga koronavirus.

Ditë më parë është raportuar për infektimin e futbollistëve të Flamurtarit, Drenicës si dhe në klubin e Vushtrrisë, ndërsa sot në medie është raportuar se edhe futbollisti Adem Maliqi është testuar pasi i janë shfaqur simptomat e “Covid-19”.

Kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të Superligës së Kosovës, kanë filluar të shfaqen raste të infektimit në kampet e klubeve.

Përkundër kësaj situate së krijuar, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk është duke u marrë, pasi sipas tij doktorët në federatë duhet të merren me këto raste.

Insporti ka kontaktuar numrin një të FFK-së për të pyetur se a janë duke e vëzhguar situatën dhe a do të testohen futbollistët, por përgjigja e Ademit ishte tejet e çuditshme.

“Veti këta doktorët allahile se nuk jam t’u marrë me atë punë, veti doktorët pash zotin. Nuk i kam testet, kur të dalin testet, veti doktorët tonë që kanë lidhje me ta”, ka deklaruar ai.

Ademi dje ishte në vizitë në klubin e Vushtrrisë ku ka zhvilluar takim me kryetarin e komunës, Xhafer Tahiri dhe kryetarin e klubit, Bajrush Kajtazin. Ndërsa, ditë më parë ka mirërpritur në dreka futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, si Edon Zhegrovën, Milot Rashicën dhe Valon Berisha.

Të ngjashme