Agjenti i Jorginhos konfirmon interesimin e dy klubeve të mëdha evropiane

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Agjenti i Jorginhos, Joao Santos, ka thënë se dy klube të mëdha evropiane e kanë kontaktuar atë për t’u interesuar për mundësinë e transferimit të mesfushorit të Chelseat.

Chelsea e transferoi Jorginhon në Stamford Bridge nga Napoli për 57 milionë funte, gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2018, pasi e mposhti Manchester Cityn në garën për transferimin e tij.

28-vjeçari e ndoqi trajnerin e tij në Napoli, Maurizio Sarri, në Londër, dhe erdhi në Angli me një reputacion të madh si mesfushor. Megjithatë, ai dështoi t’i arrijë pritshmëritë e krijuara për të në Stamford Bridge.

Sarri u kthye në Itali pas një oferte nga Juventusi dhe e ardhmja e Jorginhos është vënë në dyshim që kur Frank Lampard e mori drejtimin e skuadrës, para sezonit 2019/20. Italiani që nga atëherë ka arritur ta fitojë një vend në formacionin e parë të Lampardit, ndërsa i ka bërë 32 paraqitje këtë sezon.

Kontrata aktuale e Jorginhos në Stamford Bridge nuk do të skadojë deri në vitin 2023, mirëpo për të është përfolur se mund të kthehet në Itali pasi që raportohet se Juventusi është interesuar për të.

“Nëse më pyesni se a i pëlqen Sarrit Jorginho, do të them po, për shkak të historisë së tyre. Nuk mund të them asgjë për afatin kalimtar, pasi që për momentin nuk jam në kontakt me askënd”, ka thënë Santos.

“Jorginhos i kanë mbetur edhe tre vjet në kontratën e tij dhe ai është duke bërë punë të mirë në Chelsea, por nëse një ofertë mjaftueshëm e madhe na vjen, atëherë mund të arrihet ndonjë marrëveshje”.

“Në këtë aspekt, dy klube të mëdha evropiane, që s’janë italiane, më kanë kontaktuar”.

Të ngjashme