Agjenti i Tevezit i kundërpërgjigjet Nevillet: Ti s’je profesionist, vetëm flet e flet

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Kia Joorabchian, agjenti i Carlos Tevez, i është kundërpërgjigjur ashpër Gary Nevillet lidhur me pretendimet e tij se Tevezi ishte dorëzuar dhe s’e kishte dhënë maksimumin gjatë sezonit të tij të dytë në Manchester United.

Carlos Tevez u transferua në Old Trafford nga West Hami në vitin 2007 dhe i shijoi dy sezone të suksesshme para se të transferohej te klubi rival i qytetit, Manchester City. Megjithatë, përkundër sukseseve, Neville e ka zbuluar zemërimin e tij me përkushtimin e lojtarit.

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit pretendoi se Tevezi shkonte vonë në stërvitje dhe vetëm argëtohej gjatë sezonit të tij të dytë në klub.

Megjithatë, Joorabchian e ka kritikuar ashpër Nevillen për këto deklarata për Tevezin dhe ka thënë se ai po tenton t’ia njollosë karrierën sulmuesit aktual të Boca Juniors.

Kur u pyet se ai ishte sjellja e Tevezit problem në sezonin e dytë në Manchester United, Joorabchian tha për Sky Sports: “Absolutisht jo, ai ishte i dëshpëruar të luante. I shënoi 15 gola dhe i kishte 7 asiste, rekordi i tij ishte superior”.

“Çdo herë ai ishte në dispozicion, për çdo ndeshje, përveç tri ndeshjeve në të cilat mungoi shkaku i lëndimeve”.

“Mendoj se personi të cilit duhet t’i vihet në pikëpyetje profesionalizmi është Gary Neville sepse ai nuk i bëri detyrat e shtëpisë si analist për karrierës e Carlosit ose të thotë se pse Tevez ishte joprofesionist. Ai nuk na telefonoi asnjëherë dhe nuk e pyeti askënd për ta ditur se çfarë kishte ndodhur. Ai thjesht flet dhe flet”.

“Duke e thënë këtë, ai po e njollos karrierën e një lojtari i cili ka fituar dyfish apo trefish më shumë trofe sesa ai. Carlos ka fituar trofe në çdo ligë që ka luajtur, është dominuar si lojtari i vitit në Amerikën e Jugut më shumë se cilido lojtar në histori dhe tani, në moshën 34-vjeçare, e ka fituar ligën dhe e ka shënuar golin e fitoren për Boca Juniors sërish”.

Të ngjashme