Aguero: Dua ta fitoj Kupën e Amerikës për Messin

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 10:33 | Nga Ekonomia Online

Ylli argjentinas i Manchester Cityt, Sergio Aguero, e pranon se ai dëshiron ta fitojë titullin e Kupës së Amerikës për shumë për Lionel Messin sesa për veten.

Lionel Messi ka fituar çdo titull në botën e futbollit të klubeve. Megjithatë, kjo gjë nuk vlen edhe për karrierën e tij me ekipin kombëtar të Argjentinës, me të cilët ka dështuar ta fitojë ndonjë garë të madhe deri më tani.

Argjentina do të përballet me Nicaraguan të premten në një ndeshje miqësore para se ta fillojnë turneun e Kupës së Amerikës, më 15 qershor, me ndeshjen kundër Kolumbisë.

Messi është ende në kërkim të trofeut të tij të parë me Argjentinën dhe paraqitjet e tij për ekipin kombëtar janë kritikuar shpeshherë. Megjithatë, Aguero dëshiron t’i japë fund sa më shpejt të gjithë kësaj situate.

“Jam më në ankth të bëhem kampion për Messin sesa për veten. Shpresoj që ndonjë ditë do të ndodhë. Është ëndrra e tij dhe e të gjithë të tjerëve. Unë e vendos veten në vendin e tij dhe dua ta bëj më të mirën time për ta fituar trofeun e Kupës së Amerikës”, ka thënë Aguero.

“Është bërë një kohë e gjatë që ai vjen këtu dhe vuan. Edhe unë vuaj gjithashtu. Ne e dimë çfarë mund të sjellë ai dhe të gjithë të tjerët duhet të jemi të përgatitur për të mos dështuar”.

Messi i ka bërë 129 paraqitje për Argjentinën, në të cilat i ka regjistruar 65 gola. Ai e kishte fituar titullin e Kupës së Botës U20 në vitin 2006, si dhe medaljen e artë të Lojërave Olimpike në vitin 2008, por është ende në kërkim të titullit të parë të madh. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme