Alba: Entuziazmi i Messit e motivon skuadrën e Barcelonës

Prishtinë | 02 Qer 2020 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Bashkëlojtari i Lionel Messit në Barcelonë, Jordi Alba, ka thënë se entuziazmi i kapitenit argjentinas është ngjitës, përderisa katalonasit po përgatiten të kthehen në fushën e lojës pas krizës së koronavirusit.

Pasi u suspendua në mars shkaku i përhapjes së virusit Covid-19 në botë, La Liga do të rinisë më 11 qershor, kur ndeshja e parë që do të zhvillohet do të jetë derbi mes Sevillës dhe Real Betisit.

Barcelona, që ishte dy pikë para Real Madridit në tabelën e La Ligës kur u pezullua sezoni 2019/20, do të kthehet në fushën e lojës si mysafir kundër Real Mallorcas, në ndeshjen që do të zhvillohet më 13 qershor.

Kapiteni dhe gjashtë-herë fituesi i Topit të Artë, Messi, thuhet se ka qenë shumë i motivuar për rinisjen e ligës.

“Ai është një lojtar kyç për ne dhe ne duhet ta shijojmë faktin që e kemi atë me në gjatë gjithë kohës”, ka thënë Alba, në një intervistë për TVE.

“Ta shohësh Leon me entuziazmin me të cilin është kthyer në skuadër… kjo është ngjitëse për pjesën tjetër të skuadrës”.

Messi ka qenë golashënuesi më i mirë në La Liga këtë sezon, me 19 gola të shënuara, ndërsa pas tij është Karim Benzema i Real Madridit me 14 gola.

Të ngjashme