Aliti mund të largohet nga Kalmari

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Qendërmbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Fidan Aliti, pritet të largohet nga Kalmari, ka raportuar të hënën sajti suedez “FotbollSkanalen”. 26-vjeçari, në muajin shkurt të vitit të shkuar iu bashkua Kalmarit nga Skënderbeu i Korçës dhe me ekipin nga Suedia firmosi kontratë deri në fund të vitit 2022.

Megjithatë, paraqitjet e mira të Alitit në kampionatin suedez kanë bërë që shumë skuadra të shprehin interesim për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit. Aliti ka treguar formë të mirë edhe te Përfaqësuesja e Kosovës, ku në miqësoren ndaj Suedisë, të zhvilluar në Doha të dielën, ishte edhe kapiten. Gjatë vitit të shkuar, te Kalmari, Aliti regjistroi 29 ndeshje dhe realizoi tre gola e katër asistime, shkruan sot Koha Ditore.

“Viti i shkuar nuk ishte aq i mirë për ekipin për shkak se luajtëm në ndeshjet e plejautit për të konfirmuar mbetjen në elitë. Vitin e shkuar nuk patëm rezultate të mira”, është shprehur Aliti. “Kështu që, nuk e di nëse do të qëndroj te Kalmari për edicionin e ri. Futbolli është i paparashikueshëm edhe pse kam kontratë edhe tri vite. Do të shoh se çfarë do të ndodhë”.

Aliti ka pranuar se ka marrë oferta nga shumë klube, por nuk i ka zbuluar emrat e tyre. Ai në verën e vitit të shkuar ishte kërkuar edhe në Serie A, nga Atalanta.

“Nuk mungon interesimi dhe ofertat e ekipeve tjera, por unë jam i qetë dhe po shoh të gjitha mundësitë”, ka thënë Aliti. “U ndjeva mirë që një ekip si Atalanta kishte shprehur interesim për mua. Por, tash të shohim për shkak se në futboll gjërat lëvizin shumë shpejtë dhe papritmas”.

Aliti në vitin 2017 ka debutuar te Kosova dhe deri më tash ka zhvilluar 18 ndeshje. Karrierën si profesionist e nisi në vitin 2014 te Luzerni për ta vazhduar te Sheriff Tiraspoli, Slaven Belupo dhe Skënderbeu.

Të ngjashme