Allegri zbulon arsyet e ndarjes me Juventusin, thotë se s’dëshiron pushim

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Massimiliano Allegri është i etur ta gjejë një klub të ri për sezonin e ardhshëm, pasi i ndau rrugët me Juventusin disa ditë më parë.

Juventusi vendosi të ndahej me trajnerin italian pas diskutimeve me të për të ardhmen e klubit, sipas Allegrit, transmeton Gazeta Express.

Por pasi i fitoi pesë tituj radhazi në Serie A, Allegri këmbëngul se nuk është duke kërkuar një vit pushim, prandaj është i etur të nisë një projekt të ri nga sezoni i ardhshëm.

“Ideja është ta gjej një projekt që më bind mua. Jeta është plot befasi prandaj duhet të jesh i gatshëm për gjithçka”, tha Allegri, i cili kishte kontratë deri në verën e vitit 2020 me Juven.

“Fola me presidentin (Andrea Agnelli) pas ndeshjes me Ajaxin (në Ligën e Kampionëve) dhe planet i kishim për të vazhduar së bashku, por në gjashtë javët e fundit u takuam dhe morëm vendimin e përbashkët”, shtoi ai.

“Ne nuk i diskutuam kontratat apo gjëra të tilla, por e kuptuam se për të mirën e Juventusit, ishte më mirë të bëheshin ndryshime dhe t’i vazhdonim secili rrugët tona”, shpjegoi ai. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme