Alvarez nokauton Kovalevin, bëhet kampion në kategorinë e katërt të ndryshme

Prishtinë | 04 Nën 2019 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Saul “Canelo” Alvarez, në mënyrë të vazhdueshme i shtyrë për të bërë histori në boks, ka shkruar një pjesë tjetër historie të shtunën mbrëma, por nuk e kishte të lehtë.

Alvarez, që kishte telashe të mëdha për të përballuar gjatësinë dhe direktin e Sergey Kovalevit, triumfoi me nokaut të madh në raundin e 11-të për të fituar titullin e botës në peshën gjysmë të rëndë në boksin profesionist, para 14.490 shikuesve në “MGM Grand Garden Arena” në Las Vegas, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”.

Alvarez, kampion në fuqi në peshën e mesme dhe ylli më i madh i boksit aktualisht, është ngritur për dy kategori dhe tashmë ka të fituar tituj bote në katër kategori të ndryshme, duke hyrë në listën e legjendave të këtij sporti.

Pavarësisht telasheve që Alvarez kishte, prapë juria e kishte parë atë duke kryesuar deri në momentin e ndërprerjes. Dy anëtarë të jurisë deri në atë moment kishin vlerësuar luftën 96:94, ndërsa njëri baras, 95:95.

Pavarësisht vlerësimit, Alvarez e mbylli përballjen në mënyrë spektakolare, duke u bërë vetëm boksieri i katërt ish-kampion në peshën supervelter që ka fituar titull në peshën gjysmë të rëndë. Është një dallim dhjetë kilogramë mes dy kategorive. Të tjerët në këtë listë janë Sugar Ray Leonard, Thomas Hearns dhe Mike McCallum. Këta janë futur në Shtëpinë e të Famshmëve të Boksit, ndërsa Alvarez sigurisht se do ta ketë vendin aty në të ardhmen.

Të ngjashme