Ambasadori gjerman në Kosovë: Berisha aromë kosovare në Kombëtaren e Gjermanisë

Prishtinë | 07 Qer 2021 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, e ka përshkruar Mërgim Berishën si aromë kosovare në ekipin kombëtar U21 të Gjermanisë, i cili të dielën e fitoi Kampionatin Evropian 2021 për grupmoshat U21.

Gjermania u shpall kampione e Evropës 2021 për grupmoshat 21 vjeçe, pasi e mundi Portugalinë në finalen e zhvilluar të dielën në Slloveni, raporton Gazeta Express.

Lukas Nmecha e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit në fillim të pjesës së parë në Stadiumin Stozice, për t’ia fituar trofeun evropian Gjermanisë për herë të tretë.

Sulmuesi me prejardhje nga Suhareka e Kosovës, Mërgim Berisha i RB Salzburg luajti titullar, para se të zëvendësohej rreth 20 minuta para fundit.

Në një reagim në Twitter një ditë më vonë, ambasadori gjerman në Kosovë shkroi: “Një ‘Mannschaft’ (ekip) i mirëfilltë me aromë po ashtu gjermano-kosovare – Mërgim Berisha”.

Ky është titulli i tretë evropian për Kombëtaren U21 të Gjermanisë, pas triumfeve më 2009 dhe 2017.

Berisha, i lindur në Berchtesgaden nga prindër shqiptarë të Suharekës, nuk e shënoi asnjë gol në gjashtë paraqitje në këtë Evropian, por e bëri një asist.

Megjithatë, Ai do të mbahet në mend më së miri për goditjen e shtyllës hiç më pak se pesë herë në gjysmëfinale kundër Holandës.

23-vjeçari, për të cilën Kosova një kohë ëndërroi se do ta kishte në kombëtaren e vet, ishte ndër lojtarët kyçë në këtë Evropian dhe është pjesë e gjeneratës me të ardhme të ndritur në kombëtaren e Gjermanisë.

Të ngjashme