Ancelotti zhduk ushtrimin “emblematik” të Guardiolës

Prishtinë | 15 Kor 2016 | 18:10 | Nga

Carlo Ancelottit i kanë mjaftuar vetëm katër ditë stërvitje në shtëpinë e tij të re, Bayern, për të treguar se është shumë ndryshe nga paraardhësi i tij, Pep Guardiola.

Prova më e dukshme është përdorimi i bilbilit gjatë seancave stërvitore, shkruan “Bild”. Këtë nuk e bën as katalanasi, as asistenti Hermann Gerland. Ky detaj nuk është edhe aq domethënës, por tregon se italiani është konservator në metodikën e tij të punës.

“Stërvitja tani është ndryshe. Impulse të reja, ushtrime të reja. Të gjithë lojtarët janë të ngazëllyer, të zgjuar dhe madje edhe më shumë të përqendruar”, shprehet kapiteni Philipp Lahm, i cili ka punuar me Ancelottin që në ditën e parë, pasi ai nuk është i angazhuar më me kombëtaren gjermane dhe nuk luajti në Kampionatin Evropian të Francës.

Me Don Carlon vjen ndryshimi i madh: nuk ka më grupe në formë rrethi duke praktikuar pasimet e shkurtra. Ushtrimi i preferuar i spanjollëve, Pep Guardiolës dhe amerikano-jugorëve do të “zhduket” nga mjeshtri italian. Tani e tutje do të praktikohen më shumë topat e gjatë.

Lahm shpjegon: “Tani duhet të përshtatemi me ushtrime të tjera. Mbrojtja? Do të shohim. Skuadra është në humor të mirë. Ne jemi të ndryshueshëm”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme