Anderlechti shumë i fortë për Laçin, shuhet ëndrra

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Kualifikimi i Laçit në “play off”-in e Conference League u duk mision i pamundur që kur u mësua se kundërshtar në raundit e tretë do të ishte Anderlechti, skuadra e famshme belge e drejtuar nga një emër i madh i futbollit europian, si Vincent Kompany.

Përtej dëshirës së skuadrës kurbinase për të bërë një mrekulli të dytë, pas eliminimit të Universitateas së Craiovës, rrugëtimi i skuadrës së Duros në Europë do të mbyllet këtu.

Humbja 0-3 në takimin e zhvilluar në “Elbasan Arena” ndaj Anderlechtit nuk të lë më të ëndërrosh, takimi i kthimit në transfertë do të jetë një formalitet për belgët.

Grinta dhe vendosja e mirë e Laçit në minutat e para ishte thjesht një iluzion për rezultat pozitiv, pasi në minutën e 26-të, në zhvillimet e një këndoreje, Delcroix devijoi me gju topin për në rrjetë, 0-1.

Tentoi Lushkja të kthejë ekuilibrat në rezultat me një goditje të kalibruar nga jashtë zonës, por topi përfundoi mbi tra. Pa u mbyllur pjesa e parë, sërish nga këndorja lindi goli i dytë I belgëve, këtë herë i shënuar nga Hoedt.

Gjatë pjesës së dytë skuadra e dytë nuk kishte as forcë dhe as moralin për të ndryshuar rrjedhën e lojës, pavarësisht disa shkëndijave në portën e miqve (55’), për të ardhur më pas te goli i tretë dhe I fundit I realizuar nga Rafaelov me një predhë nga distanca.

Dy minuta para fundit të kohës së rregullt (88′) Prenga vuri në vështirësi portierin Van Crombrugge, por pa mundur të realizonte golin e nderit për ekipin kurbinas, që pas një javë do të udhëtojë drejt Belgjikës thjesht për të bërë një paraqitje dinjitoze, pasi kualifikimi në këtë rast është thjesht utopi. /SS/

Të ngjashme