Anulohen Evropianët e basketbollit të kësaj vere, edhe ai i të rinjve i paraparë të mbahej në Kosovë

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Të gjitha kampionatet evropiane të basketbollit, të parapara të mbaheshin këtë verë, janë anuluar nga FIBA Evropës, si pasojë e koronavirusit.

Këtë verë ishin paraparë të mbaheshin 16 kampionate evropiane të FIBA-s, në mesin e tyre edhe ai U-16 për meshkuj, Divizioni C në Prishtinë. Evropiani në Prishtinë ishte paraparë të mbahej nga 11 deri më 19 korrik.

Shteteve që ishte paraparë të organizonin Evropianet, do ta kenë mundësinë ta bëjnë këtë vitin e ardhshme.

“Ka qenë një vendim i pritur, pavarësisht se është zhgënjyes. Megjithatë shëndeti dhe mirëqenia e lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve e tifozëve është gjithnjë prioritet. Ndërkaq sa i përket përfaqësueseve të reja të Kosovës të cilat kishim planifikuar t’i dërgonim këtë verë në Evropiane të FIBA-s, unë shpresoj se do të mund të bëjmë diçka gjatë këtij viti për këto gjenerata”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku për “KOHËN”. “Do ta analizojmë këtë situatë të re të krijuar së bashku me Bordin e FBK-së, Drejtorinë e Përfaqësueseve të Kosovës dhe Këshillin Profesional e më pas do të shohim se çfarë do të mund të bëjmë. Krahas pjesëmarrjes në Kampionate Evropiane të FIBA-s, Federata e Basketbollit të Kosovës ishte paraparë të organizonte Kampionatin Evropian U-16 të FIBA-s, Divizioni C në Prishtinë nga 11 deri më 19 korrik. Ne tashmë i kemi kryer të gjitha punët teknike në koordinim me zyrtarët e FIBA Evropës. Sidoqoftë tani na mbetet që në bashkëpunim me Bordin e FBK-së dhe FIBA Evropën dhe institucionet e vendit tonë të punojmë në atë drejtim që të vazhdojmë me përgatitjet për vitin e ardhshëm”.

Sa i përket Kampionatit Evropian për senior i paraparë të mbahet vitin e ardhshëm, Komiteti Ekzekutiv i FIBA-s do të diskutojë të enjten, duke marrë parasysh se Lojërat Olimpike në Tokio janë shtyrë për vitin e ardhshëm dhe kjo do të ketë ndikim në kalendarin. Pas bisedimit të Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, FIBA Europe do të bisedojë me vendet organizatore dhe të marrë vendim.

Po ashtu është marrë vendim edhe për garat e klubeve të FIBA-s, që janë pezulluar. Tri garat e pezulluara janë EuroLeague e femrave, EuroCup e femrave dhe FIBA Europe Cup. Bordi është pajtuar që opsioni më i mirë për të mbyllur këto gara është një turne përfundimtar i stinorit në shtator apo tetor në formatet vijuese. Një Final Four te FIBA Europe Cup, një “Final Eight” te EuroLeague e femrave dhe një “Final Eight” te EuroCup te femrat. Secili turne të organizohet në një destinacion.

Të ngjashme