Anulohet elita e futbollit belg, Brugge kampion

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Kampionati i futbollit në Belgjikë është anuluar, ndërsa Club Brugge, që ishte lider deri në momentin e pezullimit të ligës për shkak të përhapjes së koronavirusit, është shpallur kampion.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Ligës së Futbollit të Belgjikës. Në njoftim thuhet se Bordi i drejtorëve të ligës ka mbajtur një video-konferencë të enjten, ku pika kryesore ishte anulimi i kampionatit për shkak të koronavirusit. Gjithashtu, në këtë vendim kanë ndikuar edhe rekomandimi i mjekut Van Ranst dhe ai i Qeverisë belge, që kanë konstatuar se ka pak gjasa që kampionati të nisë me praninë e publikut para 30 qershorit.

“Bordi i drejtorëve i ka rekomanduar Asamblesë së Përgjithshme që pjesa tjetër e kampionatit, duke marrë parasysh shëndetin publik, të mos vazhdohet. Situata e tashme po ashtu e bën shumë të paqartë se kur do të fillohen stërvitjet kolektive. Bordi i drejtorëve me vendim unanim ka këshilluar që të mos vazhdohet gara e stinorit 2019-20 dhe të pranohet renditja aktuale e Jupiler Pro League si përfundimtare”, shkruhet në njoftim.

Club Brugge pas 29 xhirove të zhvilluara ishte lider në tabelë me 70 pikë, 15 më shumë se Genti në pozitën e dytë.

Vendimi i bordit të Pro League duhet të ratifikohet në takimin e 24 klubeve të dy rangjeve të para, prej të cilave 17 kishin bërë thirrje javën e kaluar që të anulohet kampionati. Në takimin që të mbahet më datën 15 prill, do të bisedohet edhe për çështjen e finales së Kupës së Belgjikës dhe vazhdimin e garave në kategorinë e dytë.

Me këtë veprim, Belgjika do të jetë vendi i parë në Evropë që ka anuluar kampionatin e futbollit për shkak të krizës nga përhapja e koronavirusit. Numri i personave që kanë vdekur nga koronavirusi ka shkuar në mbi një mijë, kurse të prekur nga ky virus janë mbi 15 mijë persona. Për kokë banori Belgjika është ndër vendet më të goditura në Evropë.

“Po ashtu, është caktuar një grup punues që do të merret me çështjet sportive dhe ndikimet financiare të këtij vendimi. Mbledhja e përgjithshme është paraparë më 15 prill”, thuhet në njoftimin e Belgjikës.

Me vendimin për të anuluar kampionatin dhe shpallur Club Bruggen kampion, nga elita e futbollit nuk do të bjerë asnjë skuadër, por do të promovohen dy nga kategoria e dytë.

Para kampionatit të futbollit, Belgjika javë më herët ka anuluar edhe kampionatin e basketbollit, duke u bërë gjithashtu një prej vendeve të para në Evropë me një vendim të tillë. Titulli i kampionit në basketboll pas anulimit të kampionatit, i ka takuar skuadrës së Oostendes.

Të ngjashme