Apoeli nuk ka telashe me Coronavirus, vjen sot në Kosovë me 21 lojtarë

Prishtinë | 26 Gus 2020 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Skuadra nga Qipro, APOEL Nicosia do të jetë e kompletuar për ndeshjen kundër Gjilanit. Te APOEL-i kanë njoftuar të martën mbrëma se të gjithë pjesëtarët e ekipit kanë rezultuar negativ në testet e bëra për koronavirus.

Klubi qipriot ka paralajmëruar se në Kosovë do të udhëtojë i kompletuar për ta përmbushur misionin e tij, të eliminojë Gjilanin në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.

“Procesi diagnostikues i testeve për COVID-19 i kërkuar nga protokolli i UEFA-s dhe i realizuar përmes partnerit të veçantë të UEFA-s, SYNLAB në Qipro, ka përfunduar. Të gjitha rezultatet ishin negative”, thuhej në njoftimin e APOEL-it.

Pas marrjes së konfirmimit të rezultateve për koronavirus, APOEL Nicosia ka bërë të ditur se synon të vazhdojë aventurën në Ligën e Evropës. E për ta bërë një gjë të tillë, te APOEL-i e kanë parasysh se duhet tejkaluar nënkampionin e Kosovës, Gjilanin, që për herë të parë po paraqitet në garat evropiane.

Ndeshja mes Gjilanit dhe APOEL-it zhvillohet të enjten (19:00) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tek ekipi qipriot e kanë parasysh rëndësinë e duelit me Gjilanin dhe për këtë arsye kanë paralajmëruar se do të dalin në fushë me synimin për t’u kualifikuar në raundin e dytë eliminator të Ligës së Evropës.

“E kemi parasysh rëndësinë e ndeshjes me Gjilanin , së cilës do t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Një gjë të tillë e dinë edhe futbollistët që presim të japin më të mirën nga vetja në këtë përballje”, ka thënë zëdhënësi i klubit, Nektarios Petevinos të martën për mediumet nga Qiproja. “Çështja është se atë që e kemi bërë në stërvitje pres ta dëshmojmë në fushë”.

APOEL-i të mërkurën (sot) zbarkon në Prishtinë, ku para ndeshjes do ta mbajë edhe një stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për në Kosovë do të udhëtojnë 21 lojtarë.

Në fakt, APOEL-i është klubi më i famshëm dhe më i suksesshëm në Qipro me 28 tituj kampioni të fituar, 21 kupa dhe 13 superkupa të këtij shteti. Skuadrës nga Qiproja nuk i kanë munguar sukseset as në kupat evropiane. APOEL-i është paraqitur katër herë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve (2009/10, 2011/12, 2014/15, 2017/18), kurse suksesin më të madh e pati arritur në edicionin 2009/10, kur u eliminua në çerekfinale të kësaj gare. Ndërkohë, ka marrë pjesë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ku është paraqitur në tri raste (2013/14, 2015/16, 2016/17), ku vetëm në një rast ka arritur deri në 1/8 e finales.

Gjilani ka siguruar pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, pasi në ndeshjen parakualifikuese e ka mposhtur ekipin nga San Marino, Tre Penne, me rezultatin 3:1.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme