Ardhja e Selmanit te Kosova në dyshim

Prishtinë | 16 Mar 2021 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Hiq më pak se 16 futbollistë dhe pesë anëtarë tjerë të skuadrës së Hammarbyt, ku aktivizohet sulmuesi Astrit Selmani, kanë rezultuar pozitiv në testin për koronavirus. Infektimin e 16 lojtarëve dhe karantinimin e menjëhershëm të gjithë skuadrës, e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i Hammarbyt, Jesper Jansson të martën për faqen zyrtare të klubit.

Ai nuk ka zbuluar emrat e futbollistëve të infektuar por ka shtuar se të gjithë ata që kanë dalë pozitiv me COVID-19, janë me simptoma të lehta. Selmani së fundi ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji por ardhja e tij mbetet në dyshim për shkak të situatës te skuadra e Hammarbyt.

“Ne kemi marrë masa të forta për të ndaluar përhapjen e infeksionit dhe ky është fokusi ynë.Shumica dërrmuese kanë simptoma të lehtë dhe për këtë arsye kemi reaguar menjëherë. Gjëja më e rëndësishme për ne për momentin është të ndalojmë përhapjen e infeksionit brenda klubit tonë, dhe natyrisht ne jemi shumë të kujdesshëm që të mos rrezikojmë përhapjen e infeksionit më tej brenda futbollit suedez”, ka thënë Jansson.

“Ne e morëm rastin e parë të konfirmuar në fillim të muajit, dhe ai lojtar sigurisht u izolua menjëherë. Javën e kaluar, më shumë lojtarë treguan simptoma, dhe ishte data 11-12 Mars që morëm të konfirmuar shumicën e rasteve. Nga testet që u bënë dje, ne kemi marrë raste shtesë të konfirmuara, një total prej 16 lojtarësh dhe pesë drejtuesve”. Selmani muaj më parë iu bashkua Hammarbyt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme