Argjentina e Spanja, gjysmëfinalistet e para

Prishtinë | 11 Sht 2019 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Argjentina ka luajtur një lojë madhështore për të mposhtur Serbinë në çerekfinale të Botërorit të basketbollit që po mbahet në Kinë, duke arritur kështu për herë të parë në 13 vjet në gjysmëfinale. Ndërkohë Serbia, një nga favoritet, ka mbetur jashtë zonës së medaljeve.

Ndeshja e luajtur të martën ka përfunduar me fitore 97:87 të Argjentinës. Facundo Campazzo ishte ajo vetëtimë që i duhej Argjentinës, duke shënuar 18 pikë e 12 asistime, transmeton Koha Ditore.

Luis Scola realizoi 20 pikë, ndërsa edhe lojtarët rezervistë sërish dhanë kontribut të madh në triumfin e Argjentinës. Patricio Garino shënoi 15 pikë, Gabriel Deckj 13 dhe Luca Vildoza pati një pjesë të parë të madhe duke shënuar 11 pikë në 15 minuta.

“Ne kemi besuar në fitore. Kemi një skuadër të madhe dhe kemi energji të madhe. Mënyra se si kemi luajtur sot është shembull se çfarë duam të bëjmë gjatë viteve. Ne nuk ishim të frikësuar. Ne kemi luajtur fort. Ne kemi lojtarë të shkëlqyer”, ka thënë Garino.

Bogdan Bogdanoviq me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë te Serbia.

Argjentina ka vazhduar të mbetet pa humbje në këtë Botëror. Ndërkohë Serbia do të vazhdojë garën për pozitat nga 5 deri 8.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme