Argjentina, në “provën e zjarrit” me Kroacinë. Franca e Danimarka për kualifikimin

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 11:37 | Nga

Raundi i dytë i ndeshjeve të grupit D do të hapet me një superpërballje, atë mes Argjentinës dhe Kroacisë, që do të luhet në Nizhni Novgorod.

Argjentina vjen në këtë përballje pas barazimit 1-1me Islandën, ku Messi humbi edhe një penallti, ndërsa Kroacia, tashmë pa Kaliniç, fitoi sfidën e saj të parë me Nigerinë 2-0.

Për skuadrën amerikano-latine, kjo me ballkanasit është një sfidë për “jetë a vdekje”, pasi do të duhet që të fitojë për të qenë në garë për kualifikimin, ndërsa Kroacia do të kërkojë suksesin që të sigurojë kualifikimin.

Argjentina pritet të bëjë ndonjë modifikim në formacion dhe reparti i sulmit pritet të formohet nga Messi, Pavon e Aguero, ndërsa te Kroacia, Mandzukiç do të ketë mbështetjen e Rebiç, Kramariç e Perisiç.

Franca do të luajë në “Ekaterinburg Arena” ndaj Perusë. Një fitore ndaj amerikano-latinëve e çon skuadrën e Deschampsit në 1/8-at e finaleve të Botërorit. Gjithsesi, kjo nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për “blutë transalpinë”, sepse Peruja zhvilloi një lojë të pëlqyeshme në sfidën me Danimarkën, pavarësisht humbjes që pësoi.

Për sa u përket formacioneve, Franca do të vazhdojë me shumë gjasa me skemën 4-3-3, e ndryshimi i vetëm mund të jetë aktivizimi i Matuidi në vend të Tolisso.

Përpara francezëve do të zbresin në fushën e lojës Danimarka dhe Australia, sfidë kjo që është e para mes këtyre dy skuadrave në Botërorë. Skuadra nordike do të shpresojë në një fitore për të hipotekuar kualifikimin për në fazën tjetër, ndërsa Australia është e detyruar të kërkojë marrjen e 3 pikëve.

Në përgjithësi, kjo mes Danimarkës dhe Australisë do të jetë e treta mes tyre, me danezët që kanë 2 fitore kundrejt një të australianëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme