Aro Muric pa alternativë, mungesa e minutave sjell kokëçarje për Challandes

Prishtinë | 03 Shk 2020 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Portieri i kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, nuk po gëzon pozitën e titullarit as te Nottingham Forest.

Edhe pse u përfol shumë për një rikthim të mundshëm të tij te City, për të kaluar te Preston, gardiani i portës së Kosovës, Muric, mbeti i huazuar te Nottingham Forest, skuadër tek e cila nuk po i gjen minutat e nevojshme.

Mungesa e minutave për djaloshin kosovar pritet të reflektojë edhe te kombëtarja e Kosovës, tek e cila ai ka luajtur rregullisht që kur pranoi ftesën e ‘Dardanëve’, raporton lajmi.net.

Ndeshjet kundër Gjeogjisë/Bjellorusisë dhe Maqendonisë Veriore, në kuadër të Ligës së Kombeve, janë jetike për kualifikimin e Kosovës në Euro 2020, dhe mosparaqitja e rregullt e Aros në klubin ku luan sigurisht se shqetëson selektorin zviceran, Bernard Challandes.

Portieri kosovar, pas kalimit në formë huazimi te Nottingham Forest nga Manchester City u prit që do kishte më shumë minuta në dispozicion, dhe në ndeshjet e para gëzonte pozitën e titullarit, por me kalimin e kohës, situata u përmbys për të.

Dy gabime të Aros në debutimin e tij me Nottingham, por edhe sjelljet e tij jo korrekte në seancat stërvitore, kanë penalizuar gardianin kosovar, i cili nuk është marrë në konsideratë nga trajneri i Nottingham, Sabri Lamouchi.

Aktualisht Kosova ka dy portierë me eksperiencë evropiane (Samir Ujkani dhe Aro Muric), por asnjëri nga ta nuk po arrinë t’i bindë drejtuesit e klubeve të tyre (Torino/Nottingham), për një pozitë në formacion.

Afati kalimtar i dimrit qëndron i hapur deri në mes të shkurtit, në disa liga evropiane si ajo e Zvicrës, por gjasat për transferimin e Arijanet Muric janë të vogla.

Të ngjashme