Arrestohen sulmuesit e trajnerit të Vllaznisë

Prishtinë | 28 Shk 2018 | 09:22 | Nga

Është zbardhur dhe dokumentuar autorësia e sulmit dhe goditjes së trajnerit të “Vllaznisë”, Ernest Gjoka në Shkodër, ndërsa janë arrestuar edhe 2 autorët e ngjarjes.

Sot, strukturat e Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, falë një pune intensive hetimore dhe të pandërprerë, identifikuan dhe arrestuan shtetasit:

Nehat Fojleta, 19 vjeç, banues në Shkodër

Sehar Xhenje, 21 vjeç, banues në Shkodër

Arrestimi i tyre u bë pasi më 22 shkurt 2018, rreth orës 17:00, në afërsi të fushës sportive, shtetasi Nehat Fojleta është afruar duke kanosur dhe goditur trajnerin e ekipit të futbollit “Vllaznia”.

Më pas ai është larguar me mjetin tip “Benz” me targa AA 282 KR. Drejtues mjeti ka qenë shtetasi Sehar Xhenje, i cili ka ndihmuar të largohen nga vendi i ngjarjes.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti që shërbeu për largimin e autorit të dyshuar pas sulmit. Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, po punohet intensivisht për zbardhjen e motiveve dhe qëllimit të kësaj ngjarjeje, raporton SS.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka u sulmua me thikë pasditen e 22 Shkurtit, menjëherë pas përfundimit të seancës stërvitore me skuadrën, në fushën sportive ‘Reshit Rusi’, të qytetit të Shkodrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme