Arrestohet rreshteri policor për tregti të ndaluar

Prishtinë | 13 Gus 2020 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “tregti e ndaluar”.

IPK kishte pranuar informacione për një zyrtar policor i gradës rreshter, përmes rrugëve operative lidhur me dyshimin për kontrabandë me mallra.

I dyshuari me veturë është ndaluar nga hetuesit e IPK-së mbrëmjen e djeshme (12.08.2020) në Prishtinë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë të njëjtit i është bërë kontrolli i veturës.

Gjatë kontrollimit të veturës nga hetuesit e IPK-së janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht gjësende të ndryshme si: mallra të tekstilit, para dhe gjësende të tjera.

Edhe vetura me të cilën është bërë transporti i mallrave është sekuestruar si dhe gjatë kontrollit janë identifikuar vende të fshehta brenda veturës e që dyshohet se janë përdorur për fshehjen e mallrave.

Hetuesit e IPK-së kanë ftuar edhe njësitë e specializuara të Doganës së Kosovës për sekuestrimin e mallrave që dyshohet se janë përdorur për tregti të ndaluar.

Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme