Arsenali i rifillon stërvitjet

Prishtinë | 26 Pri 2020 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Arsenali ka konfirmuar se lojtarët e vet do të lejohen të rikthehen në qendrën stërvitore të klubit Colney në Londër nga kjo e hënë, por ata duhet patjetër t’i ndjekin udhëzimet për distancë sociale.

Trajneri i Arsenalit ishte ndër rastet e para të profilit të lartë me Covid-19 në botën e futbollit. Infektimi i tij me koronavirus bëri që Premierliga të pezullohej në fillim të marsit, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse koronavirusi vazhdon ta godasë rëndë Anglinë, Arsenali i ka marrë dritën e gjelbër për t’i rifilluar stërvitjet.

“Lojtarët do të lejohen të shkojnë në qendrën tonë stërvitore Colney në Londër nga java e ardhshme. Qasja në qendër do të jetë e kufizuar, e menaxhuar me kujdes dhe distanca sociale do të ruhet gjatë gjithë kohës”, ka thënë një zëdhënës i klubit.

“Të gjitha objektet në Colney do të mbesin të mbyllura. Lojtarët do të udhëtojnë vetëm, do t’i kryejnë ushtrimet individuale dhe do të rikthehen në shtëpi”, shtoi ai. 

Të ngjashme