Arsenali, klub i vështirë për yjtë shqiptarë

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Shkodran Mustafi është futbollisti i vetëm shqiptar me titull të botës. Ai kishte fituar titullin me Gjermaninë në vitin 2014, ndërsa prej vitit 2016 luan për Arsenalin. Tek Arsenali nisi mirë, por tash është futur në krizë prej së cilës nuk po del dot. Arsenali i Londrës po del të jetë klub i vështirë për 27-vjeçarin.

I tillë për një kohë jo të shkurtër ishte edhe për Granit Xhakën, lojtarin kryesor të Zvicrës, të cilit Arsenali ia besoi edhe shiritin e kapitenit, transmeton Koha Ditore.

Të dy yjtë shqiptarë kanë ndier presionin e tifozëve të Arsenalit, që nuk kanë pasur shumë mirëkuptim ndaj tyre. Dhe për të dy mundësia e largimit është ende e hapur. Derisa Xhaka ka nisur ta marrë veten dhe me shumë mundësi do të qëndrojë në klubin londinez, Mustafi pritet të lëvizë te ndonjë klub tjetër.

Sajti zyrtar i Arsenalit të enjten ka publikuar intervistë të gjatë me Mustafin, ku ish-mbrojtësi i Gjermanisë ka folur për shumë çështje. Ndër të tjera, ka folur edhe për presionin e tifozëve.

Mustafi ka kujtuar kohën kur iu bashkua Arsenalit dhe fillimin e mirë në klub të ri.

“Kur tifozët janë në anën tuaj, ju keni aq shumë besim. Si mbrojtës është gjithnjë vështirë, pasi ju gjithnjë keni presion, sidomos kur nuk e keni topin dhe kundërshtari sulmon. Çdo gabim i vogël mund të çojë te goli. Njerëzit nga jashtë e shohin skenën e caktuar kur ndodh gabimi dhe më pas janë të zemëruar në ty. Ju bëheni vetë nervoz, pasi nuk dëshironi të bëni gabime përsëri. Ishte e vështirë në këtë kohë të përballosh gjithë presionin. Si mbrojtës qendror ju e keni gjithnjë këtë presion, por kur e bëni gabimin, presioni bëhet edhe më i madh. Të menaxhosh këtë presion nuk është gjithnjë e lehtë. Si mbrojtës qendror ju duhet të kryeni punën në mënyrë perfekte për të pasur një ndeshje normale”, ka thënë Mustafi për sajtin e Arsenalit.

Ai këtë edicion është paraqitur vetëm në tri ndeshje në Premier League. Ka pesë ndeshje në Ligën e Evropës dhe dy për kupë. Ndonëse ka luajtur pak, sërish ka qenë në thumb të kritikave të tifozëve të Arsenalit.

Kështu Mustafi nga mbrojtësi kryesor qendror është shndërruar në mbrojtës që lufton për hapësirë dhe kryesisht nuk grumbullohet me skuadër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme