Arsyet për pesë dështimet e luftës së shumëpritur

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Rivaliteti i Khabib Nurmagomedovit me Tony Fergusonin po vlerësohet “i mallkuar”, pasi lufta mes tyre është anuluar.

Katër herë përballja mes dy luftëtarëve të njohur të UFC-së është shtyrë, ndërsa një luftë e paraparë për 18 prill tashmë është anuluar. Për shkak të koronavirusit sporti është anuluar thuajse në gjithë botën. Pronari i UFC-së, Dana White ka planifikuar që ngjarjen në të cilën është dashur të përballen Nurmagomedov dhe Ferguson ta mbajë në një vend tjetër, jo në SHBA, por Nurmagomedov ka treguar se ka mbetur i bllokuar në Rusi për shkak të koronavirusit.

Ai ka thënë se është vështirë të përgatitet kur nuk e di nëse lufta do të mbahet. Më pas të hënën u zyrtarizua vendimi për të anuluar luftën e 18 prillit.

The Sun ka shkruar të martën për katër anulimet e para të luftës mes Khabibit dhe Fergusonit.

Lufta e parë – 11 dhjetor 2015

Nurmagomedov po shkëlqente në UFC, serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera, duke fituar gjashtë herë rresht. Ferguson shihej si pengesa e fundit e tij për një përballje me kampionin e atëhershëm, Rafael do Anjos.

Luftëtari nga Dagestani, Nugmagomedov, pësoi thyerje të brinjëve, gjashtë javë para luftës. Kjo bëri që lufta të anulohet.

Nurmagomedovi nuk kishte luftuar nga prilli i vitit 2014 dhe po akuzohej për mungesën e gjatë.

Ndërkohë Fergusoni e mposhti luftëtarin që u paraqit në vend të Nurmagomedovit, Edson Barbozan dhe vazhdoj serinë në shtatë fitore.

Lufta e dytë – 16 prill 2016

Pasi Nurmagomedov kaloi lëndimin e brinjëve, termini i ri i luftës u caktua. Ai po kthehej në kafaz pas dy vjetësh.

Por nuk u kthye në luftë ndaj Fergusonit, që hoqi dorë nga përballja 11 ditë më herët. Mjeku i UFC-së njoftoi se ujë dhe gjak po mblidhej në mushkëritë e Fergusonit dhe mori vendimin që amerikani mos të luftonte.

Nurmagomedovi e mposhti debutuesin në UFC, Darrel Horcher.

Lufta e tretë – 4 mars 2017

Një termin tjetër për luftën e shumëdëshiruar ishte caktuar për 4 mars të vitit 2017. Por pak ditë para luftës Nurmagomedov ishte shtrirë në spital. Ai po luftonte për të arritur peshën e lejuar.

Nurmagomedov më vonë tregoi se mjekët nuk e lejuan të luftojë.

“Mjekët thanë se nuk do të ketë luftë. Më thanë se duhet të qëndroj në spital për shtatë orë, për të parë se trupi im është mirë. Isha thuajse i vdekur”.

Lufta e katërt – 7 prill 2018

Kampioni McGregor rrezikonte të humbte titullin për faktin se nuk ishte aktiv. Kampioni i përkohshëm, Ferguson planifikonte të përballej me sfiduesin numër një, Nurmagomedov, ndërsa fituesi do të merrte titullin e McGregorit.

Por prap nuk erdhi te lufta. Ferguson, që mbante syze dielli në ambient të mbyllur, mori në thua në një kabllo të TV-së, derisa ishte duke xhiruar për një material promovues për luftën. Ferguson kishte lënduar ligamentet e gjurit me atë rast. Dhe lufta dështoi.

Max Holloway ishte caktuar zëvendësues për Fergusonin. Për të bërë gjërat më keq, Holloway nuk u lejua nga mjekët të garoj për shkak të humbjes së tepërt të peshës, ndërsa Nurmagomedov shënoi fitore me pikë ndaj Al Iaquinta.

Ferguson humbi titullin e përkohshëm për lëndim bizar. Ai ende pretendon se është kampion.

Për një përballje të Khabibit me Fergusonin tani duhet të pritet një rast më i mirë.

Të ngjashme