Arteta: Arsenalit tim po i mungon diçka

Prishtinë | 29 Nën 2020 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e ka pranuar se skuadrës së tij po i mungon diçka, pasi në pesë ndeshjet e fundit në Premierligë nuk ka shënuar gol nga loja e hapur.

Topçinjtë e kanë shënuar vetëm një gol në ato pesë ndeshje – një penallti e Pierre-Emerick Aubameyang kundër Manchester United më 1 nëntor në fitoren 1:0 të londinezëve veriorë.

Arsenali po përballet me vështirësi në sulm këtë sezon dhe para takimit të sotëm më Wolves, renditet në pozitën e 14-të në Premierligë.

Arteta beson se skuadra e tij nuk është shumë larg ta arrijë pritshmërinë e tij, por e pranoi se dështimi i saj për të shënuar po i kushton shtrenjtë.

“Pozita në të cilën unë besoj se duhet të jemi dhe ajo në të cilën jemi tani për tani, e kanë një dallim prej dy ndeshjeve”, tha Arteta.

“Pra katër apo gjashtë pikë dhe kjo e bën dallimin e madh. Dallimi ku ne e humbim apo e fitojmë një lojë është jashtëzakonisht i vogël. Ky është realiteti i kësaj lige dhe asaj se ku ndodhemi ne tani për tani. Ne duhet të jemi shumë të mirë në çdo gjë që e bëjmë tani sepse në këtë çast po na mungon diçka”, shtoi ai. 

Të ngjashme