Asgjë serioze për Hysajn, pritet të luajë kundër Sassuolos

Prishtinë | 28 Mar 2018 | 15:38 | Nga

Elseid Hysaj ka qetësuar Maurizio Sarrin. Ekzaminimet e specializuara të kryera në Napoli nuk kanë evidentuar dëmtime seroze në ligamentet e gjurit dhe lojtari i përfaqësueses shqiptare ka marrë dritën jeshile duke u stërvitur me skuadrën.

Një lajm mjaft pozitiv për teknikun toskan duke qënë se Hysaj është një nga pikat kryesore në mbrojtjen e të kaltërve dhe një mungesë e tij do kish hapur shumë probleme në prapavijën e napoletanëve.

Në këtë mënyrë 24-vjeçari do të zbresë në fushë në përballjen e ditës së shtunë mes Napolit dhe Sassuolos që do të luhet në “Mapei Stadium”.

Hysaj u zëvendësua në minutën e 65-të të sfidës miqësore mes Shqipërisë dhe Norvegjisë duke ndezur menjëherë alarmin për gjëndjen e tij fizike, megjithatë ashtu si vetë lojtari deklaroi për Supersport menjëherë pas ndeshjes, situata nuk ishte shqetësuese dhe e tillë rezultoi edhe pas ekzaminimeve të detajuara.

Futbollisti shkodran sëbashku me Napolin e tij janë në mes të betejës për titull në Serinë A dhe prania e lojtarit kuqezi është jetike për trajnerin Sarri duke qënë se nuk ka as shërbimet e Ghoulam, ndërkohë që ditët e fundit është përfolur shumë edhe rreth së ardhmes së shqiptarit, ku klube si Bajerni i Mynihut e Manchester United kanë shfaqur gatishmërinë për të paguar klauzolën e tij prej 50 milionë eurosh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme