Ashpërsohet gara për epitetin e shënuesit më të mirë në Superligë

Prishtinë | 01 Kor 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Krahas garës për titullin e kampionit mes katër ekipeve të Superligës: Dritës, Prishtinës, Ballkanit dhe Gjilanit, “luftë” e madhe po zhvillohet edhe për epitetin e golashënuesit më të mirë.

Me golin e shënuar kundër Feronikelit, sulmuesi i Prishtinës, Ahmed Januzi, është barazuar me atë të Trepçës ’89, Arb Manaj. Të dy kanë shënuar nga 13 gola për kokë pas 27 xhirove.

Por Januzi ka realizuar 12 gola nga loja dhe vetëm një nga penalltia për dallim prej Manajt që ka realizuar pesë herë nga pika e bardhë.

Manaj, 21-vjeçar, ka thënë të martën për “Kohën”, se prioritet për të është që ta ndihmojë ekipin e tij për të siguruar mbetjen në Superligë edhe për edicionin e ri. “Unë jam i kënaqur me formën time këtë edicion, ku për herë të parë i kam luajtur të gjitha ndeshjet si titullar. Sigurisht nuk jam i kënaqur me pozitën që ka skuadra ime dhe për mua më e rëndësishme është që Trepça ’89 të mbetet në Superligë.

Sido që të jetë, mund të them se unë do ta kem më të vështirë që të shpallem më i miri, pasi ne po luftojmë për mbijetesë dhe çdo ndeshje po është e vështirë”, ka shtuar Manaj. Gol pas shtatë ndeshjeve ka shënuar edhe sulmuesi i Ballkanit, Blend Baftiu, që realizoi në fitoren e fundit 3:1 kundër Vushtrrisë.

Me këtë gol Baftiu renditet i treti në listën e golashënuesve me 12 gola të realizuar. Po aq gola i ka edhe sulmuesi Kastriot Rexha, që renditet i katërti. Ai shtatë gola i ka shënuar me fanellën e Dritës, ekip të cilit iu bashkua në janar nga Feronikeli.

Rexha në edicionin e shkuar ishte shpallur golashënuesi më i mirë në Superligë me 22 gola.

Të ngjashme