Austria do ta lejojë kthimin e disa sporteve

Prishtinë | 15 Pri 2020 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Austria ka nisur të zbusë masat kufizuese, ndërsa njoftuar të mërkurën se do të lejojë disa sporte që janë në përputhje me rregullin e distancës sociale, si tenisi e golfi, të rinisin më 1 maj, njofton agjencia Reuters.

Austria ka aplikuara masa kufizuese katër javë më parë. U është thënë të qëndrojnë të gjithëve në shtëpi dhe të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur.

Mirëpo, ndryshe nga shtete tjera, qytetarët janë lejuar të bëjnë vrapime e çiklizëm, por me kusht që të mbajnë distancën sociale.

“Sigurisht, sportet individuale ku nuk ka kontakt të madh do të kenë prioritet para sporteve ekipore ku kontakti është i paevitueshëm”, ka thënë zëvendës-kancelari Werner Kogler, që është edhe ministër i sportit.

Infrastruktura e jashtme më nuk do të jetë e ndaluar për publikun përfshirë shtigjet e atletikës, fushat e tenisit, golfit, kalërimit, poligonet e qitjes e të shigjetarisë.

Austria ka raportuar 393 të vdekur nga koronavirusi. Rreth 600 sportistë elitarë do të lejohen t’i kthehen stërvitjeve javën e ardhshme, përfshirë edhe në ambient të mbyllur, por me limite më strikte të distancës.

Planet janë duke u bërë për të rifilluar ligën elitare të futbollit, me kërkesa strikte për testim dhe ndeshjet të luhen pa shikues.

Se si do të mund tenisi të praktikohet në mënyrë të sigurt, Kogler ka thënë se këtë do t’ia lë federatave.

“Është vështirë të besohet se sa shumë pyetje dalin. Si të veprohet me topin? Konsultimet fillestare me federatën e tenisit kanë nxjerrë dhjetë rekomandime, përfshirë edhe sjellje të ndryshme në rrjetë”, ka thënë Kogler.

Po ashtu qeveria e Austrisë ka njoftuar se nuk do të kundërshtojë organizimin e garës së Formula 1 pa prani të shikuesve. 

Të ngjashme