Avdijaj e sheh veten pjesë të projektit të madh të Kosovës

Prishtinë | 07 Dhj 2018 | 11:07 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i krahut, Donis Avdijaj, e sheh veten si pjesë të projektit të madh të përfaqësueses së Kosovës.

Avdijaj në një intervistë të gjatë dhënë të enjten për “spox.com”, ka thënë se Kosova në të ardhmen do të jetë një prej përfaqësueseve të mëdha në Evropë, transmeton Koha Ditore.

“Kemi talente të mira dhe besoj se ekipi ynë ka potencial për të bërë gjëra të mëdha vitet e ardhshme. Por ne duhet të vazhdojmë me hapa të vegjël, edhe pse na ka ecur mirë në Ligën e Kombeve. Ne jemi ende prapa në shumë gjëra dhe na pret një rrugë e gjatë për të arritur në nivele të larta. Por, nëse arrijmë t’i mbajmë të gjitha talentet, mund të bëjmë një hap të madh në Evropë”, ka thënë Avdijaj.

Sulmuesi i skuadrës holandeze Willem II ka theksuar se është krenar që përfaqëson Kosovën.

“Motrat e mia dhe unë jemi rritur në një familje ku janë folur dy gjuhë, prandaj njohim mirë të dy kulturat. Prindërit e mi erdhën në Gjermani si të rinj dhe nuk flisnin gjuhën gjermane, por dhanë gjithçka për t’u integruar sa më shpejt që ishte e mundur. Edhe pse kam luajtur për ekipin kombëtar gjerman gjatë fëmijërisë sime, unë mund ta quaj veten plotësisht i Kosovës dhe kjo më bën jashtëzakonisht krenar”, ka theksuar Avdijaj.

Ish-sulmuesi i U-19 të Gjermanisë për përfaqësuesen “A” të Kosovës ka shënuar dy gola në gjashtë paraqitje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme