Babai këshillon futbollistin anglez t’i rrijë larg Man Unitedit

Prishtinë | 12 Qer 2020 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Anësori i Burnleyt, Dwight McNeil, është paralajmëruar të mos pranojë ofertë për transferim në Manchester United, apo në ndonjë klub tjetër, nga vetë babai i tij.

Futbollisti i talentuar 20-vjeçar ka ngjallur interesim te disa klube të mëdha evropiane falë paraqitjeve të tij gjatë këtij sezoni në Turf Moor.

Një transferim në Old Trafford është përfolur më së shumti nga mediumet britanike, të cilat raportojnë se McNeil mund të kthehet shumë shpejt te ish-klubi i tij.

Futbollisti britanik kishte qenë pjesë e akademisë së Manchester Unitedit, para se të lirohej për t’iu bashkuar akademisë së Burnleyt. Ai tashmë ka arritur të bindë me paraqitjet e tij në Premierligë dhe me Anglinë U-21.

Përveç Manchester Unitedit, të interesuar për anglezin thuhet se janë edhe Leicester dhe Crystal Palace. Megjithatë, babai i tij beson se mesfushori duhet të zhvillohet edhe më shumë si lojtar para se të shkojë te ndonjë klub tjetër.

“Ai po bën punë shumë të mirë. Unë mendoj se më e mira për të do të ishte të qëndronte aty ku është për momentin dhe të vazhdojë të ecë në të njëjtën drejtim”, ka thënë babai i futbollistit.

“E preferoj këtë opsion para transferimit te një klub elitar, pasi që aty vetëm do të mbetej në stol. Ai duhet të vazhdojë të punojë shumë dhe ta dëgjojë trajnerin e tij”.

“Unë besoj se, me pak përmirësim, ai mund të jetë mjaftueshëm i mirë për ekipet elitare”.

Të ngjashme