Bakayoko i përgjigjet Gattusos, vazhdon zënka mes të dyve

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Pasi trajneri i Milanit pretendoi se futbollistit iu nevojitën tetë minuta për t’u bërë gati për të hyrë në lojë, francezi është përgjigjur.

Tiemoue Bakayoko e kundërshtoi pretendimin e Gennaros Gatussos, i cili tha se mesfushorit iu nevojitën tetë minuta për t’i bërë nxemjet për të hyrë si zëvendësues në fitoren e Milanit kundër Bolognas. Francezi thotë se ai u bë gati menjëherë.

Gattuso dhe Bakayoko u panë duke shkëmbyer fjalë gjatë pjesës së parë të fitoren 2:1 të Milanit të hënën në San Siro, pas së cilës Gattuso tha: “Unë i thashë Bakayokos të nxehet, por atij iu deshëm tetë minuta për t’u bërë gati”.

Në vend të Bakayokos, i cili u duk se e shau Gattuson, trajneri vendosi ta inkuadrojë në lojë Jose Maurin. Ky incident vjen vetëm pak pasi Bakayoko, i cili është i huazuar në Milan nga Chelsea, u detyrua t’u kërkojë falje bashkëlojtarëve pasi erdhi në stërvitje një orë me vonesë.

Bakayoko e kundërshtoi pretendimin e Gattusos për këtë incident, duke thënë: “Kanë kaluar disa javë që kur është folur për mua para mediave, mirëpo unë vendosa të mos them asgjë dhe të vazhdoj të punoj”.

“Ajo që ndodhi sonte dhe interpretimi i njerëzve më detyrojnë të reagoj menjëherë sepse nuk mund ta pranoj që unë të konsiderohem si lojtar që refuzon të hyjë në lojë kur trajneri e kërkon një gjë të tillë, si dhe si një lojtar që nuk i respekton bashkëlojtarët dhe klubin”.

“Unë isha gati të jap 200 përqindëshin tim edhe nëse duhej të luaja vetëm pesë minuta. Kur Lucas u lëndua në fushë, mua mu kërkua të përgatitem në rast se ka nevojë për zëvendësim. Kështu që unë u përgatita menjëherë dhe shkova për t’i bërë nxemjet për më së shumti dy apo tre minuta”.

“Pastaj u udhëzova të kthehem në stol. E gjitha kjo mendoj se ndodhi mes minutës së 23-të dhe minutës së 26-të. Kur ulem në stol, trajneri mu drejtua në mënyrë të papritshme dhe unë vetëm i përsërita fjalët e tij. Asgjë më shumë”.

“Le të jetë e qartë: Unë kurrë nuk kam refuzuar të hyj në lojë dhe nuk nevrikosem lehtë. Mua më duket se pamjet flasin vetë. Unë e kisha vetëm një dëshirë: të hyja në lojë, t’u ndihmoja bashkëlojtarëve si gjithmonë”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme