Bale nuk largohet nga Real Madridi as këtë verë, konfirmon menaxheri i tij

Prishtinë | 20 Kor 2020 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Gareth Bale nuk do të largohet nga Real Madridi këtë verë, sipas menaxherit të tij Jonathan Barnett, i cili thotë se uellsiani është ndër futbollistët më të mirë në botë dhe më të mirët në botë nuk largohen në huazim.

Bale i ka bërë vetëm dy paraqitje për Real Madridin që prej rikthimit të futbollist pas pandemisë koronavirus në qershor dhe u la jashtë skuadrës së Zinedine Zidane në ndeshjen e fundit në La Liga kundër Leganes, transmeton Gazeta Express.

Uellsiani u pa i ulur i vetëm dhe i trishtuar në stolin e Real Madridit në javët e fundit, duke i pushtuar ballinat me pretendimet se po flinte gjatë ndeshjeve dhe se po i shikonte me dylbi bashkëlojtarët e vet në fushë.

Ai i ka shënuar vetëm tri gola në 20 paraqitje për Madridin gjatë sezonit 2019/20 dhe qëndroi mënjanë derisa ekipi e festoi titullin në La Liga në fushë, pas fitores 2:1 kundër Villarrealit të enjten e kaluar.

Është raportuar se Madridi do ta largojë atë sapo të hapet afati kalimtar i verës, por Barnett këmbëngul se Bale do të qëndrojë.

“Gareth është mirë. Ai i ka edhe dy vjet në kontratën e tij me Madridin. Atij i pëlqen të jetojë në Madrid dhe nuk do të shkojë askund”, tha Barnett për BBC.

“Ai ende është po aq i mirë sa të tjerët. Zinedine Zidane vendos. Ka interesim për të por zor ta gjesh një klub në botë që mund ta përballojë pagën e tij”, shtoi ai.

“Është keq se ai nuk është në skuadrën e Real Madridit për momentin, por nuk do të largohet”. 

Të ngjashme