Ballkani e Gjilani kalojnë Prishtinën në garën për titull

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Ballkani ka mposhtur thellë Llapin 5:1, ndërsa Gjilani Prishtinën 2:1 për t’u ngjitur në tabelë e për të lënë kryeqytetasit në vendin e katërt në garën për titull kampioni në Superligën e Kosovës.

Gjilani fitoi kryendeshjen e xhiros së 29-të ndaj Prishtinës me golat e Franc Veliut e Gerhard Prognit. Te Prishtina shënoi vetëm Armend Thaçi. Që nga minuta e 48-të Prishtina u paraqit me një futbollist më pak në fushë pas ndëshkimit me të kuq të portierit Visar Bekaj.

Në ndeshjen tjetër të kësaj xhiroje, Ballkani ka “shkelur” Llapin. Dy gola i realizoi Blend Baftiu, ndërsa nga një e shtuan Jetmir Topalli, Ermal Krasniqi e Artur Magani për fitoren e thellë të ekipit të Ismet Munishit. Te Llapi realizoi Mërgim Pefqeli.

Tabelës vazhdon t’i prijë Drita me 61 pikë të tubuara e 28 ndeshje të zhvilluara. Nga një ndeshje më shumë e kanë luajtur Ballkani që ka 59 pikë, Gjilani me 58 dhe Prishtina, që nga pozita e dytë tani është në të katërtën, me 57 pikë.

Të ngjashme