Ballkani uron Dritën: Urojmë ta na përfaqësosh denjësisht në Ligën e Kampionëve

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Ballkani ia ka uruar Dritës titullin e kampionit, përmes faqes zyrtare në Facebook, përderisa ka uruar edhe që gjilanasit e Gentjan Mezanit ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht në Ligën e Kampionëve.

Ballkani u ndal me barazim 2:2 nga Gjilani të mërkurën në Stadiumin e Qytetit, në atë që ishte një ndeshje jetike për secilën skuadër për shpresat e tyre për titull.

Pavarësisht se e përmbysi rezultatin brenda tre minutave falë Mirlind Dakut dhe Jetmir Topallit, Ballkani nuk ia doli të mbahej dhe pranoi gol në minutën e 94-të, duke ia dorëzuar titullin Dritës.

Skuadra nga Suhareka ishte befasia e këndshme e këtij sezoni në Superligë me arritjet dhe lojën e saj. Ballkani luftoi për titull deri në javën e parafundit dhe ka mundësi ta mbyllë vitin me një trofe të paktën, pasi është në finale të Kupës së Kosovës, ku e pret Prishtina.

Megjithatë, barazimi i së mërkurës bëri që Drita të shpallet kampionia e re e Kosovës. Faqja zyrtare e Ballkanit ia ka uruar Dritës titullin, përderisa ka uruar që gjilanasit ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht në Ligën e Kampionëve.

“Urime per Championin e Kosoves FC Drita.  Suksese ne garat e Champions League, urojm te na perfaqesoj denjësisht”, shkroi faqja e Ballkanit. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme