Balta nuk iu hoq kurrë Superligës së Kosovës

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Derbi i së dielës ndërmjet dy rivaleve të drejtpërdrejta për titullin e kampionit, Dritës dhe Prishtinës, vlerësohej si njëra prej përballjeve më të mëdha të këtij kampionati. Andaj edhe tuboi numër të madh shikuesish. Por, lloçi i madh në fushë bëri që të mos dalloheshin as lojtarët, të cilët e kishin të pamundur të aplikonin lojë më cilësore, e madje disa nga ta pësuan lëndime sherri i baltës.

Kosova mund të krenohet me tabelën e klasifikimit të IPKO Superligës ku shihen katër skuadra duke bërë luftë të jashtëzakonshme për titullin e kampionit dhe shumë ekipe tjera po luftojnë për të mos rënë nga liga. Por, shqetësuese mbesin shumë fenomene tjera që vazhdimisht prej vitesh përsëriten në elitën e futbollit kosovar.  

Derbi i madh i zhvilluar të dielën në Gjilan ndërmjet dy rivaleve të drejtpërdrejta për titullin e kampionit, Dritës dhe Prishtinës (2:1) tuboi numër të madh të shikuesve dhe konsiderohej si njëra prej përballjeve më të mëdha të sezonit. Por, infrastruktura katastrofale sportive, lloçi i madh, i dha shije të keqe derbit, në të cilin pati lëndime të lojtarëve të cilët mbuloheshin nga balta dhe e kishin të pamundur të shfaqnin lojë atraktive për shikues, shkruan Gazeta Express.

Edhe pse qyteti i Gjilanit gëzon respekt të madh në futbollin kosovar, pasi nga i njëjti qytet në IPKO Superligë garojnë dy skuadrat, Drita dhe Gjilani, të cilat sivjet po e kërkojnë edhe titullin e kampionit, kjo komunë ende nuk e ka një stadium meritor për këto dy klube të mëdha të cilat njëherësh i kanë dy tifozeri ndër më të mëdhatë në Kosovës.

Rinovimi i stadiumit ka nisur moti, por punimet vazhdojnë të ecin me “hapa të breshkës” dhe as që janë afër të përfundojnë.

Eksperti i futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli, duke folur për Gazetën Express, shpreh keqardhje për faktin se në Kosovë klubet detyrohen të luajnë edhe në vend-punishte.

“Muaji mars është problematik për rigjenerimin e fushave sidomos kur ka reshje shiu. Shtoja kësaj faktin që stadiumi në Gjilan është i stërngarkuar sepse ajo fushë shfrytëzohet nga dy skuadrat, Drita dhe Gjilani. Natyrisht se lloçi pastaj reflekton keq edhe në imazh. Nuk është mirë të luhet në vend-punishte. Andaj duhet të kihet parasysh fusha alternative. Kjo duhet të bëhet në koordinim me komisionet e FFK-së”, thotë Sokoli për Gazetën Express.

Profesori thotë se klubet në raste të caktuara duhet të sakrifikojnë dhe të gjejnë fushë alternative për të luajtur ndeshje kampionale dhe t’u shmangen kushteve të mjerueshme.

“Klubet mendojnë se fusha e vet është përparësi e madhe dhe hezitojnë që në raste të jashtëzakonshme apo të veçanta ta gjejnë fushën alternative. Për shembull, Drita për derbin me Prishtinën ka mundur ta caktojë si fushë alternative atë të Vitisë apo në Ferizaj. Në aso fushe është e pamundur të zhvillohet një lojë cilësore. Duhet të mendohet për shikueshmëri”, u shpreh ai.

Përkundër fitores në derbi ndaj FC Prishtinës me rezultat 2:1, Drita ka shprehur keqardhje për lloçin e madh të shfaqur. Drejtuesit e klubit bardh e kaltër kanë thënë se qysh prej të shtunën në orët e vona të mbrëmjes kishin dal në stadium për ta hequr ujin nga fusha dhe për ta përgatitur terrenin për ndeshjen e së dielës.

Kurse, trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ishte shumë më kritik. “Nuk dua të justifikohem për humbjen, por fusha ishte e tmerrshme. Nuk dua të justifikohem, por në këtë fushë nuk zhvillohet ndeshje si për ne ashtu edhe për Dritën. Nuk krijuam raste sepse fusha ishte shumë e baltosur që më vije keq për lojtarët. Këtu ishte punë fati, ata kishin fat dhe fituan takimin, sepse për futboll këtu nuk mund të flas”, është shprehur Dallku.

Që nga paslufta lloçi i madh e ka përcjell hap pas hapi futbollin kosovar. Viteve të fundit janë bërë disa investime, sidomos në fusha sintetike, enkas për t’iu shmangur lloçit. Por edhe ato fusha kanë shumë të meta të veta të disfavorshme për ngritje të cilësisë dhe nivelit të kampionatit kosovar por as nuk është që e kanë eliminuar lloçin nga IPKO Superliga. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme