Barça beson se ka gjeneratë për t’i zëvendësuar Messin me shokë

Prishtinë | 12 Tet 2019 | 09:43 | Nga Ekonomia Online

Te Barcelona kanë filluar të mendojnë për rinovim të ekipit dhe drejtuesit tashmë kanë në tavolinë planin “operacioni i së ardhmes”. Edhe pse Barça edicionin e shkuar triumfoi në La Liga me 11 pikë epërsi ndaj vendit të dytë, në klub e kanë parasysh se përbërja aktuale ka filluar të plaket.

Madje, ylli më i madh i Barcelonës, Lionel Messi, tashmë ka mbushur 32 vjet dhe në klub e kanë parasysh se jo vetëm argjentinasin, por edhe të tjerët duhet t’i zëvendësojnë në një të ardhme të afërt, shkruan sot Koha Ditore.

Në klub tashmë kanë nisur të shikojnë për talentet e reja, të cilët veçse janë pjesë e akademisë së famshme “La Masia”. Prej se Ernesto Valverde është në krye të Barcelonës, me ekipin e parë kanë debutuar 14 lojtarë të akademisë.

Ekipi i parë është ekuilibruar me transferimin e Junior Firpos, Frenkie de Jongut e Antoine Griezmannit, por po mendohet për zëvendësimin e Luis Suarezit, Gerard Piques, Sergio Busquetsit e Ivan Rakitiqit që kanë kaluar të 30-at. Pos lojtarëve si Ansu Fati (16) e Carles Perez (21) që tashmë kanë debutuar me ekipin e parë, janë edhe disa të tjerë që llogariten e ardhmja e Barçës dhe së shpejti pritet të shpërthejnë në ekipin e parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme