Barcelona befason me përforcimin e radhës

Prishtinë | 19 Pri 2018 | 13:51 | Nga

Pak ndeshje kanë ngelur deri në përfundimin e sezonit në La Liga dhe Barcelona do të shpallet kampion, për të tretin sezon me radhë në elitën e futbollit spanjoll.

Megjithatë, tani me të përfunduar sezonet gjithandej ligave evropiane dhe para fillimit të Kampionatit Botëror në futboll “Rusia 2018”, e gjithë vëmendja do të përqendrohet në afatin kalimtar të transferimeve, ku pritet të jetë edhe një verë e nxehtë.

Normalisht se një prej skuadrave më të mëdha, ajo e Barcelonës, nuk ngel prapa asnjëherë sa i përket këtij aspekti, por me interesimin e saj të fundit për një përforcim, duhet thënë që i ka zënë në befasi të gjithë, e posaçërisht tifozët “Blaugrana”.

Barça po e shikon opsionin e transferimit të talentit holandez të Ajax, mesfushorin Donny van de Beek.

Gazeta më e madhe ditore holandeze “De Telegraaf”, ka raportuar se ekipi katallan ka shfaqur interesimin për 21 vjeçarin, i cili nga ekipi i të rinjve avancoi në skuadrën e parë të Ajax në vitin 2015 dhe ka kontratë me klubin holandez deri në vitin 2022.

Megjithatë, Barcelona për shkak të atraktivitetit që ka tek lojtarët, sidomos ata të rinj, që e dëshirojnë mundësinë për të luajtur në “Camp Nou”, beson se do të arrijë ta bind Ajax, për ta shitur futbollistin e ri holandez gjatë verës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme