Barcelona fiton thellë ndaj Elches dhe ngjitet në tabelë

Prishtinë | 24 Shk 2021 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Barcelona ka fituar me rezultat të thellë 3-0 ndaj Elches në ndeshjen e mbetur nga java e parë në La Liga.

Klubi katalunas i është kthyer fitores në kampionat, duke mposhtur Elchen në Camp Nou, pas barazimit ndaj Cadizit në ndeshjen e fundit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, por edhe përkundër rasteve të shumta shifrat mbeten të pandryshuara.

Në pjesën e dytë, Barcelona shtoi rastet dhe lojën e mirë, ndërsa i shënoi edhe tri gola për të siguruar fitoren.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm tre minutave në këtë pjesë dhe ishte Lionel Messi, i cili shënoi për 1-0 pas një aksioni të bukur dhe asistimi superior me thembër nga Martin Braithwaite.

Ylli argjentinas u tregua vendimtar dhe në minutën e 69-të duke shënuar për 2-0 një gol të bukur pas asistimit të Frenkie de Jong.

Për fitoren dhe rezultatin përfundimtar 3-0 u përkujdes mbrojtësi Jordi Alba, i cili shënoi nga afërsia pas asistimit të Braithwaite.

Me këtë fitore, Barcelona e sheh veten në pozitën e tretë me 50 pikë apo pesë më pak se Atletico Madridi i pari, ndërsa Elche zë vendin e 19 me 21 pikë.

Në ndeshjen e radhës, katalunasit udhëtojnë te Sevilla, ndërsa Elche udhëton te Granada.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme