Barcelona shënon startin më të dobët në 25 vjetët e fundit

Prishtinë | 23 Sht 2019 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

As kthimi i Lionel Messit nuk ka mjaftuar. Barcelona ka shënuar startin më të keq në ligën spanjolle në 25 vjetët e fundit.

Messi të shtunën u aktivizua nga banka rezervë në pjesën e dytë, duke e bërë paraqitjen e parë në ligë këtë stinor, ndërsa Barcelona pësoi 2:0 si mysafire e Granadas, skuadrës së rikthyer në elitën spanjolle, shkruan sot “Koha Ditore”.

Barcelona ka shtatë pikë pas pesë xhirove. Është fillimi më i keq i një stinori për Barcelonën që nga ai 1994-95, kur kishte mbledhur pesë pikë në pesë ndeshjet e para.

“Qartë nuk ka qenë një start i mirë i stinorit. Ka shumë ndeshje për të luajtur, por është evidente se duhet të përmirësohemi”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.

Golat e Ramon Azeez dhe Alvaro Vadillos ndihmuan Granadan që të ngjitet në shifrën e dhjetë pikëve pas fitores së tretë këtë stinor.

Skuadra e kthyer në elitë, pas dy stinorëve të kaluar në Kategorinë e Dytë, ka shënuar fitoren e parë në ligë ndaj Barcelonës që nga viti 2014. Kishte humbur gjashtë ndeshje rresht ndaj skuadrës katalonjase. Po ashtu është hera e parë që nga viti 1971, që Granada ka fituar tri ndeshje rresht në ligë pa pësuar humbje. Ndërkohë Barcelona ka pranuar dy apo më tepër gola në katër ndeshje rresht në ligë për herë të parë që nga viti 2009.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme