Barcelona mund Bilbaon, vazhdon në krye të La Ligës pa humbje

Prishtinë | 28 Tet 2017 | 22:44 | Nga

Barcelona ka fituar me rezultat 2-0 në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos.

Katalunasët kanë vazhduar pa humbje në kampionatin spanjoll edhe pas ndeshjes së javës së 10-të në Bilbao, duke koleksionuar nëntë fitore dhe një barazim.

Skuadra e Ernesto Valverdes ka dominuar gjithë takimin, por edhe vendasit kanë pasur rastet e veta duke rrezikuar portën e Barcelonës.

Pjesa e parë e takimit nisi më mirë për vendasit që rrezikuan dy herë me Aritz Aduriz, por pa gola.

Në anën tjetër, Barcelona shënoi golin e parë në minutën e 36-të, të cilën e shënoi ylli i skuadrës, Lionel Messi, i asistuar nga Jordi Alba.

Në pjesën e dytë, të dy skuadrat patën raste, ndeshja ishte më e tensionuar, pati edhe ndëshkime dhe një gol nga mysafirët.

Ishte Paulinho, i cili shënoi në minutat shtesë dhe vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes 2-0.

Pas kësaj fitoreje, Barcelona vazhdon kryesimin në La Liga me 28 pikë, ndërsa Bilbao renditet në vendin e 11-të me 11 pikë.

Në ndeshjen e radhës, katalunasit e presin në shtëpi Sevillan, ndërsa baskët udhëtojnë te Celta Vigo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme