Barcelona vs Liverpool: Kë e favorizon kalendari i ndeshjeve?

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Klubi anglez është ende duke luftuar për titullin e Premierligës, ndërsa Barcelona tashmë e ka njërën dorë në trofeun e La Ligës.

Pasi i mposhtën lehtësisht kundërshtarët e tyre në çerekfinale, Liverpooli dhe Barcelona do të takohen në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. E përditshmja spanjolle, Sport, ka vendosur që ta analizojë kalendarin e ndeshjeve të të dy ekipeve për ta parë se kush e ka epërsinë.

Barcelona pothuajse e ka siguruar titullin e La Ligës, pasi që i duhen vetëm nëntë pikë nga gjashtë ndeshje e mbetura deri në fund. Liverpooli e kryeson tabelën e Premierligës, por e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar se Manchester City.

Liverpooli i ka katër ndeshje deri në fund të sezonit të Premierligës ndërsa Manchester City i ka edhe pesë. Për këtë arsye, dy pikët që Liverpooli i ka epërsi ndaj Cityt nuk mjaftojnë për ta fituar titullin, nëse skuadra e Pep Guardiolës nuk gabon në ndonjërën ndeshje.

Edhe pse kjo gjë sugjeron se kalendari i ndeshjeve e favorizon Barcelonës, janë disa faktorë të tjerë që ndikojnë në të mirën e Liverpoolit.

Liverpooli do t’i zhvillojë vetëm dy ndeshje para përballjes në Camp Nou më 1 maj. Skuadra e Jurgen Kloppit do të përballet me Cardiffin të dielën dhe pastaj me Huddersfieldin të premten.

Skuadra e Ernesto Valverdes do ta zhvillojë ndeshjen kundër Real Sociedadit të shtunën, kundër Alavesit të martën dhe pastaj kundër Levantes të shtunën.

Përveç që Barcelona e ka një ndeshje më shumë për ta zhvilluar, katalonasit e kanë edhe një ditë më pak për t’u përgatitur për përballjen me Liverpoolit.

Ndërsa, para ndeshje kthyese në Anfield, që zhvillohet më 7 maj, Barcelona do ta ketë një ditë më tepër pushim. Barcelona do të luajë kundër Celta Vigos të shtunën, ndërsa Liverpooli do të luajë të dielën. Kjo bën që skuadra e Kloppit t’i këtë më pak se 50 orë për t’u përgatitur për ndeshjen vendimtare, ku do të shpallet finalisti.

Kloppi mund t’i pushojë lojtarët në atë ndeshje, edhe pse skuadra duhet ta fitojë çdo ndeshje për të qenë në garë për titullin e Premierligës. Nëse Liverpooli e humb ndonjë ndeshje para kësaj periudhe, atëherë liga mund të jetë në duart e Manchester Cityt dhe Kloppi mund ta favorizojë Ligën e Kampionëve para Premierligës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme