Bardhi pret që ndeshja kundër Kosovës të luhet me shikues

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori shqiptar, Enis Bardhi, i ishte gëzuar vendimit të UEFA-s për shtyrjen e ndeshjes së plejofit të Ligës së Kombeve në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohet në Shkup më 26 mars, por pa praninë e shikueseve për shkak të frikës nga përhapja e koronavirusit. Por, për shkak të rasteve të konfirmuara me koronavirus në shumë vende, UEFA pas një video-konference me 55 federatat anëtare të saj mori vendim që ta shtyjë Evropianin për vitin 2021 dhe bashkë me të edhe ndeshjen Maqedoni e Veriut – Kosova. Dhe, pak ditë pas vendimit u caktua të zhvillohet në qershor, UEFA e caktoi 4 qershorin si datën për zhvillimin e ndeshjes së plejofit të Ligës së Kombeve.

Ndonëse UEFA nuk ka specifikuar që kjo ndeshje do të luhet pa ose me shikues, Bardhi është i bindur që tribunat e stadiumit të Shkupit do të jenë të mbushura me tifozë.

Sipas Bardhit, Maqedonia e Veriut ka më shumë se dy dekada që po e pret rastin për kualifikim në Evropian dhe një gjë të tillë dëshiron ta bëjë me praninë e tifozëve, me të cilët do të festonin së bashku. Maqedonia e Veriut është vetëm dy ndeshje larg “Euro 2020”, turne që tashmë është shtyrë nga UEFA për verën e vitit të ardhshëm.

“Ndeshja gjysmëfinale me Kosovën, që do të luhet në Shkup, është shumë e rëndësishme për ne që ta luajmë para tifozëve tanë. Është historike, pasi Maqedonia e Veriut ka më shumë se 20 vjet që ka pritur për t’u kualifikuar në Evropian. Kështu që, ne duam tifozët në tribuna, në mënyrë që ta ndajmë këtë gëzim së bashku”, ka thënë Bardhi në një intervistë për “Superdeporte”. “Mirëpo, në fund shëndeti është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër edhe pse dëshira është që të luajmë me tifozë”.

Edhe po të mos shtyhej ndeshja me Kosovën, Bardhi ka zbuluar se ai ishte i gatshëm për të udhëtuar nga Spanja drejt Maqedonisë së Veriut, por ka shtuar se një problem më të madh do ta kishin lojtarët e tjerë të këtij vendi që bëjnë karrierë në Itali, si Goran Pandev, Eljif Elmas e Ilija Nestorovski. Këta të fundit, në rast të udhëtimit, automatikisht do të duhej të futeshin në karantinë për dy javë dhe vështirë se do të mund të luanin në ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme