Bashota po shtyn tenisin kosovar në nivele të reja

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Në dy pjesëmarrjet e para, Kosova kishte gjithsej tri fitore në Fed Cup, garën e përfaqësueseve në tenis të femrave. Në pjesëmarrjen e tretë, Kosova ka barazuar shifrën prej tri fitoreve dhe mund të shtojë edhe një tjetër të shtunën.

Përfaqësuesja e Kosovës në tenis të enjten fitoi me rezultatin e përgjithshëm 2:1 ndaj Kongos, për fitoren e tretë në FED Cup 2019, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dallimin te Kosova po e bën Donika Bashota, që për herë të parë po garon për përfaqësuesen. Ajo ka fituar katër meçet që i ka zhvilluar deri më tash në Helsinki të Finlandës, ku po zhvillohet njëra prej dy ngjarjeve të Ligës III të Fed Cup, e që është niveli më i ulët i kësaj gare në nivel përfaqësuesesh.

Bashota e ka mësuar tenisin në Suedi e më vonë në SHBA. Ajo i ishte bashkuar përfaqësueses së Kosovës në vitin 2017 për pjesëmarrje në Fed Cup. I kishin dalë dy probleme. Nuk u pajis me kohë me pasaportë të Kosovës, ndonëse aplikimin e kishte bërë me kohë e po ashtu Kosovës nuk iu lejua fare hyrja në Moldavi, ku atë vit është dashur të garojë në Fed Cup.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme