Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje në ndeshjen e kthimit ndaj Maqedonisë në Shkup në parakualifikimet për Botërorin “Kina 2019”.
Për dallim nga ndeshja e parë në Prishtinë, kësaj radhe paraqitja e Kosovës ishte zhgënjyese.
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll sot ishte jashtë forme në palestrën “Boris Trajkovski” duke humbur me rezultat 87-74.
Kosova pati paraqitje të mirë vetëm në çerekun e parë, të cilin e fitoi me tri pikë epërsi 19:23. Edhe në pushim shkoi me një pikë epërsi, 40:41, por më pas dy çerekët e fundit maqedonasit ishin dukshëm më të mirë dhe nuk lejuan që t’u rrezikohet fitorja.
Kosovës i dështoi basketbollisti kryesor, Dardan Berisha, i cili ishte larg formës së tij. Më efikasi në radhët e Kosovës ishte Fisnik Rugova me 17 pikë, si dhe Scott Bamforth me 15 pikë.
Kosova, e cila është në Grupin C, së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë biletën për ndeshjet kualifikuese do ta kërkojë në Prishtinë ndaj Estonisë, e cila ka siguruar kualifikimin.