Basketbollisti me origjinë nga Kosova, Avdija, zgjedhja e nëntë në draftin e NBA-së

Prishtinë | 19 Nën 2020 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Minnesota Timberwolves e ka zgjedhur fundorin e Georgias, Anthony Edwards, të parin në draftin e NBA-së të mërkurën mbrëma që u mbajtë në formë virtuale shkaku i pandemisë.

Fundori 19-vjeçar mjaft atletik pritet ta forcojë Minnesotan, që edicionin e kaluar përfundoi në vend të parafundit në Konferencën Perëndimore.

“Është ndjenjë e papërshkrueshme. Jam i bekuar”, ka thënë Edwards.

Ndërkohë basketbollisti me origjinë nga Kosova, Deni Avdija, ka qenë zgjedhja e nëntë. Atë e ka zgjedhur, Washignton Wizardsi.

Deni Avdija, është i biri i basketbollistit të famshëm të lindur në Prishtinë, Zuferit.

Deni Avdija është i lindur në Izrael dhe luan për Izraelin. Babai i tij Zufer Avdija, që është i komunitetit goran, me ish-Jugosllavinë kishte fituar medaljen e bronztë në Botërorin 1982.

Deni Avdija 19-vjeçar me U-20 e Izraelit i ka fituar dy tituj rresht të Evropës. Ai tri vitet e fundit ka luajtur për Maccabi Tel Avivin. Në edicionin e fundit u zgjodh MVP i kampionatit të Izraelit, më i riu që e ka fituar epitetin e MVP-së në elitën izraelite. Ai luan në pozitën e alos. 

“Nuk e kam imagjinuar këtë. Është çmenduri për mua. Izraeli është vend kaq i vogël që nuk ofron shumë lojtarë për NBA si shtetet tjera, por për mua vetëm të përfaqësojë shtetin tim dhe të bëjë histori, është bekim. Kam gjithë shtetin prapa meje. Unë po mendoj se është ende ëndërr”, ka thënë Avdija.

Menaxheri i përgjithshëm i Washingtonit, Tommy Sheppard, është i lumtur që e ka siguruar Avdijan.

“Kemi përcjellë atë. Skautët tanë ndërkombëtarë e kanë përcjellë që nga mosha 16-vjeçare”, ka thënë Sheppard. “Jemi shumë të lumtur që e kemi zgjedhur. Ai është dëshmuar, ndërsa ka luajtur në EuroLeague. Ka karakter, etikë të punës – i plotëson të gjitha kushtet”.

Kryetrajneri i Washingtonit, Scott Brooks, ka thënë se është shumë i lumtur me zgjedhjen.

Qendra James Wiseman, i shquar për bllokada, ishte zgjedhja e dytë në draft ndërsa i është bashkuar Golden State Warriorsit.

Charlotte Honerts kishte zgjedhjen e tretë dhe u përcaktua për LaMelo Ballin. Shumë kishin pritur që Ball të ishte zgjedhja e parë në draftin e sivjetëm.

Patrick Williamsi është zgjedhuri i katërti dhe i është bashkuar Chicago Bullsit, ndërsa zgjedhjen e pestë e kishte Cleveland Cavaliers dhe e mori Isaac Okoron. Onyeka Okungwu, si zgjedhje e gjashtë, iu bashkua Atlanta Hawksit.

Fundori francez Killian Hayes ishte zgjedhja e shtatë, dhe atë e mori Detroit Pistons, ndërsa Obi Toppini e teta dhe e mori New York Knicks.

Të ngjashme